Një 53-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar në Itali për veprat penale “dhunë seksuale” dhe “emigracion i paligjshëm” është arrestuar në Laç. Ai përdorte katër emra të ndryshëm për t’i shpëtuar arrestimit. Sipas Policisë, në pranga ka rënë Kastriot Marku alias Erjon Prenga alias Ervis Murati alias Landi Lleshaj.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e apelit në Firenze e ka dënuar me 7 vite e 4 muaj e 8 ditë burg. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
“Komisariati i Policisë Kurbin në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja”, të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, finalizuan operacionin policor të koduar “FOUR”.
Në kuadër të këtij operacioni, në Laç u bë kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi i 53 vjeçarit që përdorte 4 emra, Kastriot Marku alias Erjon Prenga alias Ervis Murati alias Landi Lleshaj, 53-vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e apelit në Firenze, e ka dënuar me 7 vite e 4 muaj e 8 ditë burg për veprat penale “Dhunë Seksuale” dhe “Emigracioni i paligjshëm”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë”, njofton Policia.