SPANJË– Një 30-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim prej vitit të kaluar për trafik droge nga Italia, është arrestuar pasi u lokalizua se po fshihej në Tenerife të Spanjës. Sipas mediave të huaja 30-vjeçari kërkohej që nga janari i vitit 2024, teksa ishte kapur në një aksion të Rojës Civile spanjolle më 21 maj. konkretisht shqiptar do të duhet të vuajë një dënim prej 6,4 vjetësh burg, por aktualisht është në pritje të ekstradimit në Itali.
Nga verifikimet e mëtejshme në sistem, rezultoi se ai ishte dënuar me 6,4 vite burg për trafik droge në Media Valle del Tevere. Shqiptari që njihej me nofkën “Aldo”, ishte akuzuar dhe dënuar pasi me ndihmën e një bashkatdhetari, kishte ngritur një biznes të vërtetë midis viteve 2016 dhe 2018, veçanërisht në komunat Deruta, Todi dhe Collazzone, ku dozat e kokainës shiteshin me një çmim prej 70 eurosh secila.
Për të shmangur ngjalljen e dyshimeve, parkingjet përpara qendrave tregtare shpesh përdoreshin si vende për shitje droge. Klientët ishin kryesisht italianë, të gjithë banorë të zonave të shitjes.
Hetimet filluan menjëherë nga Zyra SDI e Prokurorit të Përgjithshëm të Peruxhias dhe falë aktivitetit që synonte gjetjen dhe gjurmimin e të arratisurit, të kryer nga Shërbimi për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me organet e huaja, si policia e Spanjës.
Detyra e identifikimit të të arratisurit në Spanjë ishte veçanërisht komplekse për shkak të lëvizjeve të tij të vazhdueshme nga Shqipëria në Barcelonë dhe më pas në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër, përpara se të gjendej përfundimisht në Ishujt Kanarie.