I zhdukur prej 21 ditësh në Malësinë e Madhe, familjarët kërkojnë ndihmë: 50 mijë euro shpërblim kushdo që e gjen babain!

0

TIRANË- 78-vjeçari, Lekë Ndreshaj prej 21 ditësh është zhdukur në rrethana misterioze në fshatin Bzhetë të Malësisë së Madhe. I moshuari kishte shkuar për të marrë pjesë në një ceremoni mortore aty ku është ndjerë keq. Që nga ai moment nuk ka më asnjë gjurmë të tij.

Familja Ndreshaj i ka dërguar një kërkesë zyrtare kryeministrit Rama për ndihmë. Gjithashtu djali i të moshuarit ka vënë në dispozicion shumën prej 50 mijë eurosh për këdo që e gjen babanë e tij. Në letrën drejtuar Ramës, familjarëts shprehen se çdo orë që kalon është jetike. Ata theksojnë se po jeton në ankth dhe kanë nevojë për ndërhyrjen e menjëhershme të tij si përfaqësues i një shteti.

Njoftimi i plotë i familjarëve:

Tiranë, 30 Qershor 2025, Drejtuar: Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Lënda: Kërkesë urgjente për ndihmë shtetërore dhe mobilizim për gjetjen e qytetarit Lekë Ndreshaj

I nderuar Z. Kryeministër, Unë, Gëzim Lekë Ndreshaj, banues në Bruksel dhe biri i z. Lekë Ndreshaj, i drejtohem me këtë thirrje publike dhe urgjente për ndihmën tuaj në gjetjen e babait tim, i cili është zhdukur që prej datës 9 qershor 2025 në fshatin Bzhetë, Malësi e Madhe, gjatë pjesëmarrjes në një ceremoni mortore të dajës tim.

Që nga ajo ditë nuk kemi asnjë informacion për vendndodhjen apo gjendjen e tij. Kërkimet tona familjare dhe komunitare nuk kanë sjellë rezultat, ndërkohë që terreni i thepisur dhe mungesa e mjeteve teknike e bën të pamundur vazhdimin efektiv të kërkimeve pa ndihmën e shtetit.

Ju lutem me përulësi të mobilizoni: Forcat e Ushtrisë së Shqipërisë, Strukturat e Policisë së Shtetit, Administratën e Bashkisë së Malësisë së Madhe dhe njësive vendore, Helikopterë dhe dronë të pajisur me kamera termike dhe teknologji të specializuar për kërkim-nxjerrje.

Çdo orë që kalon është jetike. Familja jonë jeton në ankth dhe ka nevojë për ndërhyrjen tuaj të menjëhershme si kryetar i qeverisë dhe si përfaqësues i një shteti që nuk braktis qytetarët e vet në momente të tilla.

Për çdo informacion apo bashkëpunim, ju lutem na kontaktoni në: Email: [email protected], Telefon: +32 456 19 27 20 Me shpresë, dhimbje dhe respekt të thellë, Gëzim Lekë Ndreshaj, Bruksel, Belgjikë