Analisti Ilir Kulla ka vlerësuar publikisht aktorin Robert Ndrenika për qëndrimin e tij të vendosur në sallën e gjyqit të Gjykatës Administrative, ku Ndrenika shprehu mbështetje publike për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Në një mesazh të dërguar gjatë emisionit të gazetares Erla Mëhilli në Euronews, Kulla e krahasoi këtë qëndrim me një përvojë personale të familjes së tij gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Ai kujtoi momentin kur vëllai i Servet Pëllumbit, Lirim Pëllumbi, u burgos në vitin 1982 si “armik i popullit”, dhe shumë njerëz e braktisën. Ndër të pakët që e vizituan në burg ishin prindërit e tij, të cilët ofruan mbështetje në një kohë të vështirë.
“Kur u burgos në 1982 Lirim Pëllumbi, oficer i Ministrisë së Brendshme, armik i popullit, vëllai i Servet Pëllumbit, në atë kohë u braktis nga shumë njerëz të afërt dhe të largët, të cilëve u kishte bërë ndere dhe të mira. Ndër të pakët njerëz që i shkonin ta takonin në burg ishin prindërit e mi, të cilët ishin ndihmuar në ditë të vështirë nga Lirim Pëllumbi. Sot e kësaj dite jam krenar për prindërit e mi që iu gjendën në ditë të vështirë një njeriu në fatkeqësi. Jeta e solli që të isha aty kur vdiq Lirim Pëllumbi në Siçili në 1996. Sot e kësaj dite krenar për atë kohë dhe prindërit e mi. Bravo Robet Ndrenika”, tha Kulla.
Ky reagim nënvizon vlerën e solidaritetit dhe guximit moral në momente të vështira, duke reflektuar një mesazh të fuqishëm mbi përgjegjësinë qytetare dhe mbështetjen publike.





