ITALI – Interi në maj mund të ngrejë njëkohësisht ‘Scudetton’ dhe të falimentojë, sipas një analize të financave të tyre nga llogaritari dhe blogeri italian, Luca Marotta.
“Zikaltrit” kanë borxhe të mëdha afatgjata që kapin shifrën 807.000.000 euro dhe që janë ulur nga 881.000.000 vitin e kaluar financiar.
Kjo u ndihmua nga shitjet e Marcelo Brozovic te Al Nassr për 17.500.000 dhe Andre Onana te Manchester United për 50.200.000, të cilat u konsideruan të nevojshme për të shmangur falimentimin para fillimit të sezonit aktual.
Finalisti i Champions League uli kostot me 11.8%, në 465.500.000 në 2022-2023. Njëkohësisht, edhe të ardhurat kanë rënë me 3.2%, duke arritur në 425.500. 000. Klubi regjistroi një humbje prej 85.400.000 (në të kuqe për më shumë se një dekadë), megjithatë shpërndau dividentë deri në 1.900.000 për anëtarët e bordit, duke përfshirë drejtorin sportiv Giuseppe Marotta.
Problemi edhe më i madh është vlera neto negative e kompanisë mëmë të skuadrës së futbollit, e cila e bën thuajse të pamundur përpjekjen për të shlyer huanë e siguruar nga Oaktree Capital Management në maj 2021, e garantuar nga e gjithë paketa e aksioneve.
Huaja duhet të shlyhet deri në maj të vitit 2024, përndryshe kontrolli i klubit do t’i kalojë fondit nga Kalifornia, siç ndodhi vite më parë me Milanin dhe Elliott Management.
Familja Zhang, e cila është në pronësi të klubit që nga viti 2016, do të përpiqet të gjejë para për detyrimet e tyre afatshkurtra, por nuk janë në një situatë ideale financiare. Gjigandi i shitjes me pakicë Suning që ata themeluan dhe i detyrohet pasurinë e tij do të humbasë rreth 2.100.000.000 në 2022 pasi ekonomia kineze ngadalësohet të rikuperohet nga kriza e koronavirusit.
Interi është në krye të tabelës së Serisë A pas 17 ndeshjesh, por në maj, edhe nëse fiton ‘Scudetton’, mund të gjendet në një krizë shumë të thellë.