Irani dhe Izraeli përshkallëzojnë sulmet

0

Irani lëshoi sot një valë të re raketash drejt Izraelit, pasi gjatë natës Izraeli kreu sulme të forta ajrore në Teheran.

Banorët e kryeqytetit iranian thanë se këto ishin ndër bombardimet më intensive që nga fillimi i luftës.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve “Mehr”, raketat balistike u lëshuan nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Si pasojë, sirenat e alarmit për sulme ajrore u aktivizuan në disa zona të Izraelit.

Forcat e rregullta të armatosura të Iranit njoftuan gjithashtu se kishin lëshuar dronë luftarakë ndaj objektivave ushtarake izraelite, përfshirë bazat ajrore “Palmachim” dhe “Ovda”.

Sipas radios shtetërore iraniane, një tjetër objektiv ishte edhe selia e shërbimit të inteligjencës së brendshme izraelite, “Shin Bet”.

Ndërkohë, sulmet e reja ajrore izraelite në Teheran kanë rritur frikën për trazira në kryeqytetin iranian.

Banorët thanë se një nga valët më të fuqishme të bombardimeve ndodhi gjatë mbrëmjes së djeshme.

Sipas dëshmive lokale, për herë të parë janë goditur edhe objektiva në rrugë të hapura brenda zonave të banuara.

Raportohet gjithashtu se janë goditur disa pika kontrolli të forcave të sigurisë iraniane.

Agjencia e lajmeve “Fars” bëri të ditur, duke cituar informacionet paraprake, se rreth 10 pjesëtarë të forcave të sigurisë u vranë dje në mbrëmje.

E njëjta agjenci raportoi për disa shpërthime në Teheran dhe përplasje të paqarta.

“Fars”, e cila konsiderohet e afërt me IRGC-në, akuzoi shërbimin sekret izraelit “Mossad” se ka infiltruar agjentë në territorin iranian.

Në zonat veriore të Teheranit pranë Maleve Alborz, dëshmitarët thanë se gjatë natës ishin dëgjuar të shtëna të forta të sistemeve kundërajrore. Gjithashtu, u raportua edhe zhurma e dronëve mbi zonat e banuara.