Autoritetet iraniane kanë liruar nga burgu fituesen e çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, për tre javë për arsye shëndetësore.
“Bazuar në mendimin e mjekut, Prokuroria pezulloi dënimin me burg ndaj Narges Mohammadit për tre javë dhe ajo është liruar nga burgu”, shkruan në X avokati i saj, Mostafa Nili.
Mohammadi u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2023 për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe luftën e saj për të promovuar të drejtat e njeriut dhe lirinë për të gjithë.
Mohammadi po vuan një sërë dënimesh në burgun famëkeq Evin të Teheranit me akuza që përfshijnë përhapjen e propagandës kundër Republikës Islamike.