Ish-bashkëpunëtori i ngushtë dhe njëkohësisht mik i familjes së ish-kryeministrit Fatos Nano, Ilir Kulla ka folur për gjendjen shëndetësore të liderit historik të PS që është përfolur shumë së fundmi në medie. Ai tha në “Top Neës” se gjendja e Nanos është përmirësuar dhe se mjekët janë optimistë, por që nuk ka mundur që ta vizitojë për shkak se ndodhet në reanimacion.
“Mjekët janë optimistë. Ai është i vetëdijshëm, situata është përmirësuar. Duke e njohur sa i fortë është Fatosi, jam i bindur se do ja dalë. Unë nuk kam mundur ta vizitoj sepse është në reanimacion dhe mjekët nuk të lejojnë. Ajo që di të them është se situata është përmirësuar ”, është shprehur Ilir Kulla.
Politikani 70 vjeçar vuan nga një sëmundje që prek mushkëritë dhe pamundëson furnizimin e tyre me oksigjen. Pavarësisht se ka dalë nga intubimi dhe mbahet në sallën e reanimacionit, Nano po kalon orë të vështira. Ai është i vetëdijshëm, por nuk mund të flasë për shkak të një ndërhyrje në trake që i kanë bërë mjekët.
Fatos Nano vuan nga insuficenca respiratore, pamjaftueshmëri e mushkërisë për t’u furnizuar me oksigjen dhe për të funksionuar normalisht. Kjo sëmundje kronike respiratore në gjuhën mjekësore njihet si “SPOK” dhe nënkupton pamundësinë e mushkërisë për të kryer funksionin e saj.