Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm ditën e sotme ish-kryetarin e Bashkisë Pogradec Eduart Kapri. Ish-kryebashkiaku ishte akuzuar nga SPAK për dy episode, i pari lidhet me një tender për blerjen e druve me vlerën afro 9 milionë lekë të reja, ndërsa akuza e dytë ishte ajo e pengimit të procesit zgjedhor në vitin 2019, pasi zyrtarë të bashkisë i vunë kyçin tre shkollave që do të shërbenin dhe si qendra votimi.
Eduart Kapri u zgjodh kryetar i Bashkisë së Pogradecit në zgjedhjet lokale të vitit 2015, si përfaqësues i Partisë Demokratike dhe i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet. Ai fitoi me 50.93% të votave kundrejt rivales të tij të propozuar asokohe nga Aleanca për Shqipërinë Europiane.
SPAK mbylli hetimet për ish-kryebashkiakun e PD në Pogradec nëvitin 2021, për Eduart Kaprin dhe 5 ish-vartësit e tij.
Kapri dhe 5 vartësit e tjerë u gjykuan në lidhje me tentativën për të penguar zgjedhjet lokale në 30 qershor 2019 si dhe për akuzën për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017.
Përveç Kaprit, në GJKKO përfunduan edhe Avdulla Cano, ish-Zv.Kryetar i Bashkisë Pogradec, Enkeleida Kllomollari, ish-Dr. e Qendrës Arsimore në Pogradec, Nexhmi Torrën, ish-koordinator i Nj. Adm. pranë Bashkisë Pogradec, Gurali Blaceri, ish-punëtor mirëmbajtës në Dr. Arsimore Pogradec dhe Safet Blaceri, ish-punëtor mirëmbajtës në Dr. Arsimore Pogradec.