Ish-mbrojtësi i majtë i Totenham, Benoit Assou-Ekotto, ka zbuluar se ai kishte humbur mundësinë për të luajtur në Itali, në Serie A, për shkak të flokëve të tij. 37-vjeçari, që tashmë është tërhequr nga futbolli, e kaloi shumicën e karrierës së tij në Premier League.
Assou-Ekotto ka spikatur për eksperimentet e tij me stilin e flokëve, sidomos atë afrikan, ka zbuluar se ishte pranë nisjes së një aventure në Itali, por kjo dështoi për shkak të pamjes së tij të jashtme. Madje ai theksoi se ky refuzim e kishte vënë në mëdyshje për karrierën e tij, gjatë së cilës ai luajti 155 ndeshje në nivelin më të lartë të futbollit anglez dhe 117 ndeshje në atë francez. “Bisedova me një klub italian, një klub idiot, – kujton ish-mbrojtësi. – Ata më thanë “Shiko, ne na pëlqen ti, por do të ishte e vështirë për ne t’u shpjegonim tifozëve që po blejmë një lojtar me një model flokësh si i yti”.
Futbollisti i lindur në Francë zgjodhi të luante për Kamerunin në arenën ndërkombëtare, duke luajtur 24 ndeshje për “Luanët e pamposhtur”, përpara se sa mbyllte me përfaqësuesen afrikane pas Botërorit të 2014-ës në Brazil.