Një dëshmi e re tronditëse është publikuar për rastin e vrasjes në Glyka Nera. Në emisionin “Dritë në tunel” u zbulua se Babis Anagnostopoulos, dy javë para se të vriste bashkëshorten e tij Caroline, i kishte dërguar një mesazh ish-të dashurës së tij ku i kërkonte ta takonte nga afër.
“Me të vërtetë kishta një lidhje me Babisin, e cila nisi në vitin 2015 dhe përfundoi në qershor 2016. Ai ishte shumë i zemëruar me mua sepse mendoi se do t’i jepja fund martesës sime për të qenë së bashku. Nuk e kisha menduar kurrë ta bëja këtë,”-tha ajo, shkruan Protothema.
Gruaja, e cila u largua nga Athina pas vrasjes në Glyka Nera, foli për një burrë obsesiv dhe pohoi se bëri gjithçka për ta ndarë nga i shoqi.
“Dikush po i shkruante burrit tim për marrëdhënien tonë. Jam e sigurt se Babis i ka dërguar në përpjekje për të më ndarë. 6 muajt e fundit, mesazhet nisën sërish. Ai kishte një obsesion që më trembte dhe unë u përpoqa të kisha një marrëdhënie të mirë me të në distancë. Caroline i ka ditur të gjitha këto për një kohë të gjatë,”-shtoi ajo.
Por i shpejtë ishte dhe reagimi i pilotit nga burgu. Nëpërmjet avokatit të tij, Babis Anagnostopoulos mohon gjithçka.
“Kam kontaktuar me klientin tim. Ai mohon çdo komunikim me një grua tjetër gjatë martesës së tij. Unë nuk e kundërshtoj atë që thotë zonja, le të dëshmojë në Polici,”-tha avokati.