SPANJË- Njëzet milionë euro në kartëmonedha janë gjetur të fshehura në muret e shtëpisë së një oficeri policie të rangut të lartë. Ai është burgosur për lidhjet e tij të dyshuara me tregtarët e drogës, si pjesë e një hetimi që çoi në sekuestrimin e një sasie rekord kokaine. Oscar Sanchez Hill mbante deri pak ditë më parë postin e spikatur të kreut të Njësisë për Krimet Ekonomike dhe Fiskale (UDEF) të policisë spanjolle në Madrid ndërsa përshkruhej si profesionist i matur dhe punëtor.
Ai u arrestua javën e kaluar së bashku me 15 persona të tjerë, duke përfshirë partneren e tij, gjithashtu një oficere policie në rajonin e Madridit. Gjatë këtij operacioni, shuma prej 20 milionë eurosh në kartëmonedha u zbulua në muret dhe tavanet e shtëpisë së tij në Alcala de Henares, një qytet me një popullsi prej 195,000 banorësh që ndodhet 30 kilometra në lindje të Madridit.
Gjatë kontrolleve, policia ka gjetur në zyrën e tij edhe shumën prej 1 milion eurosh, në kartëmonedha nga 50 deri në 500 euro, të cilat i kishte fshehur në dy kabinete të mbyllura, sipas të njëjtit burim policor. Pas arrestimit të tyre, Oscar Sanchez Hill dhe gruaja e tij u sollën para një gjyqtari në Audiencia Nacional, autoriteti gjyqësor i Madridit i akuzuar për çështjet më të rënda dhe komplekse penale.
Gjyqtari i ka akuzuar për “trafik droge”, “korrupsion”, “pastrim parash”, “pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe ka urdhëruar masën e paraburgimit, sipas një burimi gjyqësor. Siç raportojnë mediat spanjolle, këto arrestime lidhen me sekuestrimin, më 14 tetor, të 13 tonëve kokainë në portin e Algeciras, në Andaluzi (në jug), e cila ishte fshehur në një ngarkesë me banane, brenda një kontejneri që kishte u largua nga Ekuadori.
Kjo sekuestro, e cila u njoftua të mërkurën e kaluar, u prezantua nga autoritetet spanjolle si “konfiskimi më i madh në historinë e tregtisë së drogës në Spanjë” dhe “një nga kapjet më të mëdha në nivel ndërkombëtar”. Kontejneri i cili ishte nisur nga porti i Guayaquil, sipas policisë ishte i destinuar për një importues spanjoll, me qendër në Alicante (juglindje), i cili prej vitesh merrte sasi të mëdha frutash të importuara nga Ekuadori.
Pas kësaj konfiskimi, autoritetet kontrolluan shtëpi dhe zyra në Madrid dhe Alicante. Operacione të cilat sipas këtyre mediave zbuluan lidhjet mes importuesit dhe Oscar Sanchez Hill. Shefi i njësisë për luftën kundër krimeve ekonomike, i cili kishte kaluar edhe në ekipin kundër trafikut të drogës, ishte tashmë në mikroskopin e kolegëve të tij, të cilët po e vëzhgonin. Gjatë atyre viteve, 40-vjeçari u kishte dhënë atyre informacione për gjurmimin e kontejnerëve në portet spanjolle, gjë që i lejonte të shmangnin kontrollet, tha një burim i njohur me hetimin.