Izrael nuk tërhiqet, Cohen: Do të ecim përpara me ose pa mbështetjen ndërkombëtare

0

IZRAEL- Ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen deklaroi se lufta kundër Hamasit do të vazhdojë me apo pa mbështetjen ndërkombëtare. Reagimi i tij erdhi një ditë pas votimit të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në thelb të së cilës është armëpushimi i menjëhershëm në Rripin e Gazës.

“Izraeli do të vazhdojë luftën kundër Hamasit me ose pa mbështetje ndërkombëtare. Një armëpushim në fazën aktuale është një dhuratë për organizatën terroriste Hamas dhe do ta lejojë atë të kthehet për të kërcënuar banorët e Izraelit,” deklaroi Cohen.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi dje rezolutën që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza. Drafti shpreh gjithashtu shqetësimin serioz për situatën katastrofike humanitare në Gaza. Rezoluta u miratua me 153 vota pro, tre vota kundër dhe 23 abstenime. Ditët e fundit janë lëkundur marrëdhëniet e Izraelit edhe me SHBA-në. Presidenti amerikan Joe Biden bëri të ditur dje se Izraeli duhet të ndryshojë qëndrim në lidhje me fushatën ushtarake, pasi nuk ka treguar kujdes në uljen e vrasjeve të popullsisë civile. Një pikë tjetër që e ndan Izraelin me aleatin e tij më të rëndësishëm është e ardhmja e Rripit të Gazës pas luftës. SHBA ka kërkuar dy shtete të pavarura dhe në paqe me njëra-tjetrën. Kryeministri Benjamin Netanyahu është shprehur se nuk e pranon rikthimin e Autoritetit Palestinez në Gazë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu