Tensionet dhe dhuna në Rripin e Gazës janë intensifikuar sërish, ndërsa të paktën 25 persona kanë humbur jetën nga sulmet ajrore dhe tokësore të ushtrisë izraelite mëngjesin e së shtunës, më 20 prill, sipas njoftimit nga Agjencia për Mbrojtje Civile në Gaza. Mes viktimave raportohen gra dhe fëmijë, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur.
Sipas zëdhënësit të agjencisë, Mahmud Bassal, bombardimet kanë prekur disa zona të ndryshme në të gjithë territorin e Gazës, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha dhe panik te popullata civile.
Në qytetin Rafah, në jug të Gazës, agjencia konfirmoi pesë viktima të tjera si pasojë e sulmeve me dronë.
Kjo përshkallëzim i dhunës vjen pas rifillimit të operacioneve ushtarake izraelite më 18 mars, pas një periudhe dy mujore armëpushimi. Konflikti i zgjatur mes Izraelit dhe Hamasit ka hyrë tashmë në muajin e 16-të, me pasoja të rënda humanitare dhe qindra mijëra të zhvendosur.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar së fundmi se ofensiva do të vazhdojë derisa të sigurohet lirimi i pengjeve të mbajtura nga Hamasi, i cili konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA, BE dhe shtete të tjera perëndimore.
Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare humanitare po bëjnë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe hapjen e korridoreve humanitare për ndihmë të menjëhershme në zonat e goditura.