Izraeli ka vendosur të zgjerojë ofensivën e tij tokësore në kampet e refugjatëve palestinezë në Gazën qendrore, pasi paralajmëron se lufta me Hamasin do të zgjasë me muaj. OKB-ja ka shprehur shqetësim të madh pasi sulmet izraelite thuhet se vranë dhjetëra njerëz në kampet Bureij, Nuseirat dhe Maghazi ditët e fundit. Luftimet e ashpra po vazhdojnë edhe në jug, në qytetin Khan Younis.
Ndërkohë, presidenti palestinez e ka përshkruar atë që po ndodh në Gaza si “përtej një lufte asgjësimi”. Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka thënë se të paktën 195 njerëz janë vrarë në të gjithë territorin gjatë 24 orëve të fundit. Më shumë se 21,100 janë vrarë,kryesisht fëmijë dhe gra gjatë 11 javëve të luftimeve, sipas ministrisë.
Lufta u shkaktua nga një sulm i paprecedentë ndërkufitar nga persona të armatosur të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin u vranë të paktën 1200 njerëz shumica civilë dhe rreth 240 të tjerë u morën peng.
Bombardime të rënda raportohen në zonën e mesme, veçanërisht në kampet Bureij, Maghazi dhe Nuseirat. Në Nuseirat, avionët luftarakë izraelitë shënjestruan shtëpitë e familjeve Nasser dhe Hazouqi, duke vrarë një numër njerëzish dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Wafa