Të tronditur, të mbijetuarit e sulmeve të Hamasit kujtojnë orët e tmerrshme kur militantët sulmuan shtëpitë e tyre mëngjesin e 7 tetorit. Disa prej tyre, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar gjatë sulmeve, po strehohen përkohësisht në një hotel në zonën turistike të Detit të Vdekur. Kur Golan Abitbul ndjeu rrezikun që i kanosej shtëpisë së tij ai vendosi të luftonte me militantët e Hamasit, por për arsye që mbeten ende mister, ata vendosën të tërhiqeshin.
“Pashë një grup që po përpiqej të hynte në oborrin tim dhe më duhej t’u kundërpërgjigjesha. Hapa zjarr dhe ata u përgjigjën, kishte një shpërthim zjarri në shtëpinë time dhe nuk e di si dhe pse, por ata vendosën të largoheshin dhe të mos vazhdonin me luftimet”.
Por ai thotë se shumë nga miqtë e tij janë vrarë dhe shumë të tjerë ishin marrë peng nga militantët e Hamasit.
“Shumë nga miqtë e mi më të mire humbën jetën.Shpresoj që ne mund të shërohemi nga e gjitha kjo. Shpresoj që të mund t’i kthejmë të gjithë miqtë tanë nga Gaza. Ata u morën dhe ne duam që të kthehen sërish. Uroj që të kem një shtëpi ku të kthehem. Dhe shpresoj se që vendi ynë do të eliminojë të gjithë terroristët në Rripin e Gazës”.
Ndërsa 64-vjeçari Nir Shani, fëmijët e të cilit u morën peng nga persona të armatosur të Hamasit, uron që ata të jenë mirë.
“Djali im është rrëmbyer. Për dy javë do të mbushë 16 vjeç. Terroristët hynë në shtëpinë e ish-bashkëshortes tim dhe hapën derën e shtëpisë. Djali im, ish-bashkëshortja dhe dy vajzat e mia të vogla u dorëzuan. Ata u morën peng. Shtatë terroristët i morën në një makinë të zezë dhe u larguan me ta. Nuk e dimë ku janë tani. Duam që bota të na ndihmojë.”
Por teksa luftimet vijojnë rreziku që konflikti mund të përhapet është i madh. Të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje palëve në Lindjen e Mesme të parandalojnë një përhapje të konfliktit. Ai u shpreh gjithashtu se mban kontakte të vazhdueshme me udhëheqësit në rajon për të shmangur një skenar të tillë.