Ja sa paguhen deputetët në Gjermani?

0

GJERMANI- Bundestagu ka 630 deputetë, 100 më pak se ai i mëparshmi. Po si paguhen deputetët, sa janë të ardhurat e tyre dhe si rregullohet pensioni?

Të ardhurat mujore të deputetëve

Të ardhurat e deputetëve të Bundestagut përbëhen nga disa pjesë në Gjermani: Paga bazë rritet çdo vit më 1 korrik dhe aktualisht ajo është 11.227 euro në muaj, ose rreth 135.000 në vit.

Kjo është shuma bruto e pagesave bazë, kështu që nga kjo shumë paguhen taksat, sigurimi shëndetësor dhe pensionet… Varësisht nga statusi familjar dhe të ardhurat e tjera, një deputeti i mbetet në muaj rreth tetë mijë euro neto ose pak më shumë.

Por ka dhe pagesa të tjera për shpenzime shtesë, si për shembull për një zyrë në zonën zgjedhore të deputetit ose pagesa për një vendbanim në Berlin, ku ndodhet Bundestagu. Për këto shpenzime deputetët marrin një shumë shtesë – aktualisht 5.350 euro në muaj, ose 64.200 euro në vit.

Këto para nuk futen në tatime, ndërsa shuma e këtyre parave rritet çdo 1 janar, pra në fillim të vitit. Për deputetët nuk ka tarifa të posaçme për pjesëmarrje, apo pagesë ditore nëBundestag, siç është e zakonshme në shumë parlamente të tjera. Pra nuk ka meditje për pjesëmarrje në seanca.

Pagestat për pajisje dhe udhëtime

Pajisjet e zyrës, kontratat telefonike dhe pajisjet e punës, si rregull, paguhen nga fonde të tjera. Për pajisjet e zyrës, për telefona dhe pajisje të ngjashme, çdo deputet ka në dispozicion deri në 12.000 euro në vit. Për këto të ashtuquajtura “kosto materiale”, paratë paguhen vetëm me faturë, pra deputeti duhet të paraqesë faturat për shpenzimet.

Udhëtimi me trenat gjermanë është falas për deputetët, pavarësisht nëse ata udhëtojnë për arsye zyrtare apo për punë e biznes. Për udhëtimet me aeroplan duhet të dorëzohen faturat.

Pagesat për bashkëpunëtorët

Çdo deputet ka nevojë përbashkëpunëtorë. Për bashkëpunëtorët jepen fonde shtesë deri në 25.874 euro në muaj. Llogaritja kryhet direkt nga administrata e Bundestagut, kështu që deputeti nuk paguan personalisht pagat e punonjësve të tij ose të saj. Të afërmit, bashkëshortët, familjarët e tyre dhe ish-partnerët nuk mund të paguhen nga këto fonde, për shkaqe rreziku të keqpërdorimit.

Kur i mbledh në total, një deputet në Bundestagu kushton taksapaguesve të paktën gjysmë milioni euro në vit.

Të ardhura shtesë

Disa deputetë fitojnë edhe më shumë se kaq. Grupet parlamentare mund të paguajnë nga fondet e tyre të ashtuquajturat pagesa funksionale. Kjo kompenson një ngarkesë pune më të madhe, për shembull, me një sekretar parlamentar. Shuma e këtyre pagesave përcaktohet nga vetë grupi parlamentar.

Deputetët lejohen gjithashtu të kryejnë të ashtuquajturat aktivitete dytësore. Nëse deputetët fitojnë të ardhura nga kjo, këto të ardhura duhet të deklarohen në mënyrë transparente – nëse aktiviteti paguhet më shumë se 1.000 euro në muaj.

Shpërblim për ndërprerje të punës

Kur mbaron mandati i tyre në Bundestag, deputetëve u paguhet një muaj pagesë për ndërprerje të punës, një e ashtuquajtur pagesë kalimtare, e barabartë me pagën bazë parlamentare, për çdo vit të kaluar në Bundestag – që mund të shkojë maksimalisht deri në 18 muaj.

Nga muaji i dytë pas përfundimit të mandatit të tyre, të gjitha të ardhurat e tjera – përfshirë ato nga burime private – përfshihen në pagesën kalimtare. Ndërsa sa i përket pensioneve, ish-deputetët marrin pak më shumë se 1.000 euro pension për një mandat katërvjeçar. Por shumica e deputetëve kryejnë këtë punë në disa mandate, që do të thotë se edhe pensioni i tyre rritet për këtë shumë, varësisht nga mandatet./DW