GREQI- Janë identifikuar personat e arrestuar nga policia greke, e cila në bashkëpunim me DEA Amerikane sekuestroi 585 kg kokainë në Selanik dhe vuri në pranga 5 shqiptarë, katër prej të cilëve me lidhje familjare me njëri-tjetrin.
Të arrestuarit janë Arjan Neki Xhafaj, Lutmira Fatmir Xhafaj, Ilirian Shpetim Baraj, Klevis Arben Muskaj, Avelino Alfred Feimi. Këta shtetas janë nga Cakrani i Fierit dhe nga Vlora.
Policia greke fillimisht ka ndaluar në Selanik një automjet i cili rezultonte i marrë me qira. Drejtuesi i mjetit ishte 21-vjeçari nga Cakrani i Fierit, Klevis Muskaj. Në mjetin e tij policia greke sekuestroi 239 pako me 280 kg 758 gram kokainë. 10 minuta më pas, është tentuar të ndalohet një tjetër mjet në zonën e “Neous Epibates”. Shoferi u identifikua si Avelino Feimi, 33 vjec, nga Vlora. Dy drejtuesit e mjeteve, rezultojnë nipat e Arjan Xhafajt.
Ndërkohë në banesë veç drejtuesit të grupit dhe bashkëshortes, u gjet dhe u arrestua edhe Ilirian Baraj, 35 vjeç nga Fieri, me shtetësi greke. Raportohet se pakot e drogës kanë qenë të shënjuara me simbolet “AA”, “RAM” dhe me shenjën e kryqit nazist.