-Në orët e fundit,klubi i Barcelonës i ka dhënë dritën jeshile ristrukturimit të Camp Nou. Në veçanti, drejtuesit miratuan një hua të re deri në një miliard e 500 milionë euro për projektin e impiantit të ri. Votimi online u mbajt të dielën dhe 87% e 48,623 votuesve mbështetën rishikimin e propozuar të stadiumit. 5055 të tjerë votuan kundër projektit ndërsa 875 pjesëmarrës abstenuan.
Plani, i quajtur Espai Barca, do të financohet nga një hua e palës së tretë. Goldman Sachs do të kujdeset për të si pjesë e një programi 35-vjeçar. Shumë anëtarë, nisur nga kriza financiare e klubit, kanë shprehur shqetësimet e tyre pikërisht për aspektin financiar të projektit.
Rindërtimi duhet të përfundojë në vitin 2025. Stadiumi ka shumë të ngjarë të mbyllet për sezonin 2023-24, por Barça do të jetë në gjendje të luajë diku tjetër, potencialisht në stadiumin Olimpik në Montjuic. Ideja është rikthimi në Camp Nou për sezonin 2024-25.
Rinovimi përfshin gjithashtu një zgjerim të kapacitetit në 105,000 spektatorë. Një shtesë e rëndësishme do të jetë çatia e mbuluar me 30 mijë metra katrorë panele diellore. Energjia e gjeneruar nga ato panele do të fuqizojë një ekran 360 gradë që do të vendoset brenda stadiumit.
Projekti përfshin edhe ndryshime të rëndësishme jashtë stadiumit: zyra të reja, hapësira të gjelbra, hapësira eventesh, një shesh patinazhi dhe një hotel.