IRAN- Adoleshentja iraniane, Armita Geravand, e cila ra në koma pas një sulmi nga oficerët në metronë e Teheranit, ka vdekur, sipas mediave shtetërore iraniane.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe gazetarët kanë thënë se Garavand dhe dy mikesha të saj më 1 tetor u konfrontuan nga zyrtarët policorë për shkak të mosveshjes së hixhabit, teksa ato tentuan të hynin në një stacion metroje në kryeqytetin iranian. Autoritetet iraniane kanë mohuar pretendimet e grupeve të të drejtave të njeriut se 16-vjeçaria Geravand është dhunuar nga policia.
Në një deklaratë të lëshuar në fillim të këtij muaji, autoritetet e Metrosë së Teheranit pretenduan se Geravand u dërgua në spital për shkak të “presionit të ulët të gjakut”. Incidenti ka ngritur shqetësime në Iran për shkak të përvjetorit të protestave mbarëkombëtare vitin e kaluar pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini.