POGRADEC- Një person i paidentifikuar ka goditur me kamion mbrëmjen e sotme një transformator të energjisë elektrike në Pogradec. Mësohet se përshkak të dëmit të shkaktuar kanë mbetur pa energji elektrike mbi 200 familje. Ngjarja është regjistruar në një nga lagjet e fshatit Bucimas të bashkisë Pogradec.
Grupet e punës së OSHEE-së kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje së bashku me Policinë e Shtetit, ku këta të fundit janë angazhuar për të gjetur autorin e kësaj ngjarjeje. Dëmi në transformator është i madh, ndërsa do të kërkojë disa orë pune deri në rikthimin në gjendjen e mëparshme. Autori është larguar, pasi ka goditur vendin ku qëndronte transformatori. Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar nga elektriciteti në momentin e goditjes, edhe pse ky transformator ndodhet pranë banesave.