TIRANA- Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë dhe Postën Shqiptare, kanë goditur8 raste të trafikimit të kanabisit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë vetëm gjatë muajit prill. Bëhet me dije se hetimet proaktive zbuluan se lënda narkotike, me përqindje të lartë THC, transportohej përmes pakove postare, duke përfshirë qytete të ndryshme si Tirana, Shkodra, Fieri, Elbasani dhe Vora.
Sipas informacioneve, në total janë sekuestruar 15.2 kilogramë kanabis, ndërsa janë arrestuar dhe shpallur në kërkim 12 persona, disa prej të cilëve u kapën në flagrancë në momentin e tërheqjes së pakove në degë të ndryshme të Postës Shqiptare. Prokuroria njofton se hetimet vijojnë për të zbuluar dhe ndaluar personat e tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.