KAOS në “Sheshin Skënderbej”/ Qytetarët presin me orë në rradhë për dozën e dytë të vaksinës kineze. U ka kaluar afati prej një jave

0

 

Procesi i vaksinimit në Shqipëri, përveç shifrave që paraqiten çdo ditë me lugë boshe nga Ministria e Shëndetësisë duket se ka stopuar, ndërkohë që në sheshin Skënderbej janë krijuar radhë të gjata të personave që presin të marrin dozën e dytë të Sinovax, e cila mungon.

Në intervistat e dhëna për Fax News qytetarët shprehen se kanë deri në një javë që u ka kaluar afati i marrjes së dozës së dytë të vaksinës, ndërsa presin me shpresën se sot do të vaksinohen, edhe pse shanset duken të pakta, pasi procesi po ecën mjaft ngadalë.

Një prej infermiereve që ishte e pranishme në ambientet jashtë çadrës tha shkurtimisht: Vaksinat po bëhen, radha krijohet për shkak se ka shumë njerëz.

Burime bëjnë me dije se procesi për marrjen e dozës së parë po vijon me vaksinat Astra Zeneca, Sputnik edhe Pfizer, por ritmet kanë rënë ndjeshëm, dhe objektivi për të arritur 1 milionë doza brenda muajit të ardhshëm duket i vështirë, pa harruar faktin se një person ka imunitet vetëm pas marrjes së dytë të vaksinës.

Në disa deklarata të dhëna për mediat përfaqësues të ISHP-së shprehen se javën e ardhshme pritet që të vijë një sasi e madhe me vaksina kineze, ndërkohë që nuk dinë të japin një përgjigje të saktë se pse nuk janë ruajtur dozat e dyta për qytetarët, sa kohë që diferenca mes dy dozave ka një përcaktim të qartë kohor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu