Nuk mjaftuan skenat e shëmtuara në derbin Nice-Marseille por edhe sot në një tjetër ndeshje të “nxehtë” siç është derbi Lens-Lille pati trazira dhe tifozët u futën në fushë.
Gjithçka ndodhi në pushim të ndeshjes kur skuadrat ishin në tunel dhe tifozeritë po ngacmoheshin me njëra tjetrën duke hedhur sende nga njëri sector te tjetri, shkruan Ora News.
Vetëm një rrjetë ndante ata të Lille me tifozët e Lens dhe pasi “gjakrat” u nxehën qindra tifozë të tjerë të Lens nga pjesë të ndryshme të stadiumit u futën në fushë duke dashur të shkojnë në sektorin ku qëndronin rivalët e tyre.
Fillimisht ishin stewardët që ruajtën përplasjen e më pas vetëm futja e forcave të rendit shmangu një dhunë të paparë që mund të shpërthente mes palëve.
Gjithsesi, ndeshja rinisi me vonesë dhe në fund ishte Lens që arriti të fitonte ndeshjen 1-0, duke mundur kampionët në fuqi të Lille.