Kapen “mat” dy braziliane në Durrës, e pësojnë edhe 8 klientët…

0

Një rrjet prostitucioni është goditur në qytetin e Durrësit, me 12 persona të marrë nën procedim, arrestuar apo që po hetohen.

Dy shtetase braziliane u arrestuan për ushtrim prostitucioni, dy të tjera u shpallën në kërkim, sikurse u proceduan pronari i një hoteli dhe 7 persona të tjerë që dyshohet se janë klientë.

Organizatorët akuzohen se merrnin banesa me qira, ose prenotonin dhoma hoteli ku ushtronin aktivitetin e tyre kundrejt përfitimit.

Gjithashtu u sekuestruan shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, 10 celularë dhe pasaporta.

Njoftimi i Policisë Durrës:

Si rezultat i hetimeve intensive me metoda proaktive, të kryera gjatë 2 javëve, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Durrës, u finalizua operacioni i koduar “Storm 16”.

Në vijim të veprimeve procedurale, në kuadër të operacionit, u proceduan penalisht dy shtetase braziliane: L. C., 33 vjeçe, e cila u kap në hotel, dhe V. B., 27 vjeçe, e cila u kap në ambientin e marrë me qira, pasi dyshohet se ushtronin prostitucion.

Gjithashtu, u proceduan penalisht edhe 8 shtetas të tjerë, banues në Vlorë, Durrës dhe Divjakë.

Po në kuadër të operacionit, u shpallën në kërkim shtetaset braziliane G. S., 30 vjeçe, banuese në Brazil, për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, dhe M. R., 38 vjeçe, banuese në Brazil, për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjithashtu, nisi procedimi për shtetasin K. P., 45 vjeç, banues në Durrës, administrator i hotelit, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.