Policia italiane ka arrestuar dy persona, mes tyre një 48-vjeçar shqiptar pasi janë të dyshuar për trafik droge. Gjatë aksionit të policisë italiane u sekuestruan mbi 5 kilogramë kokainë dhe kanabis, me vlerë tregu rreth 400 mijë euro. Policia sekuestroi gjithashtu edhe para cash.
Ndërhyrja u krye në zonën “Ge-S. Teodoro” dhe “Scali”, midis Oregina dhe Castelletto. Efektivët pikasën fillimisht një automjet të dyshimtë, që ia nënshtruan kontrollit, të cilin e drejtonte bashkëpunëtori i shqiptarit, një 40-vjeçar italian me precedentë penalë.
Nervozizmi i tyre shtoi dyshimet e karabinierëve, që fillimisht zbuluan një bllok hashash 100 gramë, ende i paprekur dhe i mbyllur me celofan, si dhe një shkop bejsbolli.
Hetimet u shtrinë edhe më tej më datën 3 prill, për goditjen e rrjetit kriminal. 48-vjeçari shqiptar, teksa po dilte nga dera e godinës u kap nga policia pas një arratisjeje nëpër rrugët e ngushta të zonës, gjatë së cilës tentoi të hiqte qafe një zarf.
Brenda tij u gjetën më shumë se 2 kilogramë kokainë, nga e cila një bllok ende i mbyllur me shirit ngjitës peshonte 1 kilogram, ndërsa pjesa e mbetur u ishte ndarë në mbështjellës të ndryshëm, me peshë nga 100 deri në 600 gramë dhe gati për shitje.
Kontrolli i mëpasshëm personal i shtëpisë çoi në gjetjen e shumës së parave prej 11,200 euro, si dhe gati 3 kilogramë hashash, të ndara në pako, gjithsej 28 blloqe nga afërsisht 100 gramë secila, informon media italiane.
Sasia e madhe e hashashit dhe e kokainës së sekuestruar dhe në veçanti pastërtia e lëndës, shkon në një vlerë prej të paktën 400 mijë euro në treg. Të dy të arrestuarit u mbyllën në burgun Marassi.