Ditën e sotme Lindita Nikolla u zgjodh kryetare e Parlamentit, me 79 vota pro dhe katër kundër. Procesi i votimit u shoqërua nga tensione (të rritura disi edhe nga ngjarja e bujshme mbrëmjen e kaluar, ku kryedemokrati Lulzim Basha vendosi të përjashtonte ish-kryeministrin Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD) në radhët e demokratëve të cilët nuk ishin dakord dhe në shenjë kundërshtimi, grisën fletat e votimit. Ndërkohë në lidhje me zgjedhjen e Lindita Nikollës në krye të Parlamentit të ri ka reaguar edhe gazetari Kastriot Myftaraj, i cili me anë të një postimi në “Facebook” evidenton lidhjet që Nikolla ka me Serbinë, pasi është martuar me një burrë “prindërit e të cilit quhen Serbin dhe Slloba”, duke aluduar kështu se në Beograd është mirëpritur zgjedhja e saj dhe se Rama ka dashur të kënaqë pikërisht Vuçiçin dhe homologun e saj serb Daçiç, kryetarin e parlamentit të Serbisë.
Postimi i plotë i Myftarajt:
Kryetarja e porsazgjedhur e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla është e martuar me një burrë prindërit e të cilit quhen Serbin dhe Slloba. Në Serbi ekziston tradita ballkanase që një grua e martuar të thirret si nusja e filanit/filanes, me emrin e vjehrrit apo të vjehrrës. Pra Lindita është nusja e Serbinit përkatësisht e Sllobës. Prandaj në Beograd është mirëpritur zgjedhja e saj. Kuptohet që Edi Rama kur ka përzgjedhur Linditën për kryetare të Kuvendit ka pasur parasysh marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe simbolikën që përbën martesa e saj, sa i përket Jugosllavisë së Re, të maskuar si Ballkan i Hapur. Pra Rama me përzgjedhjen e Linditës ka dashur të kënaqë Vuçiçin dhe homologun e saj serb Daçiç, kryetarin e parlamentit të Serbisë. Tani Daçiç që njihet edhe si këngëtar, kur të takohet me Linditën me siguri do të këndojë një këngë për të dhe problemi është si ta përshtasë emrin e saj në serbisht ku bën diçka si Danrodenja. Glauk Konjufca homologu i nuses së Serbinit dhe Sllobës në Kosovë, të mos ngutet për ta uruar atë me rastin e marrjes së detyrës. Le të presë ta bëjë këtë Daçiçi se për kënaqësinë e Beogradit është bërë kjo përzgjedhje.