TIRANË- Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta do të pyetet nesër nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me hetimet për 21 Janarin. Mësohet se ka qenë vetë kërkesa e Metës që të pyetet për këtë çështje që ka nën hetim SPAK.
SPAK ka njoftuar se Meta do të merret në pyetje nesër në orën 10:00.
Çështja “21 janari”
Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm.
Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg.





