Vdekjet nuk ndalen në policinë e burgjeve!
Shuhet dhe një punonjës tjetër në sistemin e burgjeve!
Situata e rëndë e gjendjes shëndetësore dhe psikologjike në policinë e burgjeve, vazhon të marrë jetët e punonjësve.
Dje, përgjatë shërbimit në turnin e 3-të në Shënkoll, i ndjeri Gjovalin Frroku, ka kërkuar ndihmën e urgjencës për shkak të problemeve në zemër dhe dërgimin në Spitalin e Lezhës. Kjo ka ndodhur në orën 3 të mëngjesit. Si gjithnjë, janë mjaftuar me një kontroll rutine nga mjeku i gatshëm dhe nuk kanë lejuar që i sëmuri të dalë për kontrolle të mëtejshme në spital. Është lënë në gjendje të tillë deri sa ka mbaruar shërbimin dhe pastaj kolegët e kanë dërguar në urgjencën e spitalit të Lezhës, ku menjëherë e kanë orientuar për në urgjencën spitalore të Tiranës. Por, zemra nuk pret mbarim shërbimi e burrokraci eprorësh, pasi gjatë rrugës për Tiranë, punonjësi ka ndërruar jetë.
Vdekjet dhe problemet shëndetësore nuk kanë të sosur në Policinë e Burgjeve dhe punonjësit me të drejtë kërkojnë që sa më parë të reagojmë në protestë para institucioneve në bulevardin e Tiranës. Kjo gjendje është paralajmëruar me kohë nga Sindikata, por siç duket ka më shumë rëndësi politika e ditës, sesa jeta e punonjësit!
Mungesa e mjekut të punës sipas ligjit, mungesa e trajtimit ushqimor, mungesa e uniformave, pagat e ulëta dhe demotivimi në shërbim, po sjellin pasoja të rënda!
Nuk dimë se sa do vazhdojë kjo gjendje dhe kush mban përgjegjësi për situatën e krijuar ndër vite, pasi deri më sot ata që kanë hequr të drejtat legjitime të punonjësve, vazhdojnë të bëjnë show duke betonuar paudhësitë e tyre në kurriz të mijëra kolegëve me uniformë! Po marrim mesazhe nga dhjëtera punonjës në sistem, të cilët po kërkojnë një datë proteste për denoncim situate. Po tallen edhe me heqjen e taksës mbi pagen 30-40 mijë lekë e përgjysmim të saj për pagat 40-50 mijë. Vkm dhe Kryeministri kanë folur qartë për të gjithë Administratën Publike, ku bën pjesë edhe Policia e Burgjeve, se me 1 Qershor fillojnë efektet në favor të punonjësve!
Nëse nuk implementohet ky VKM në favor të Policisë së Burgjeve. Sindikatat do shpallen datën e protestës dhe vendin ku do zhvillohet ajo! Dikush duhet dhe do mbajë përgjegjësi për situatën e rëndë që vazhdon prej vitesh!
Stafi i infowebtv shpreh ngushëllime të ndjera familjes së punonjësit të policisë së burgjeve Gjovalin Frroku!