TIRANË- Prokuroria e Pukës do të marrë të pandehur Davide Pecorellin, italiani që sajoi vdekjen e tij në Gjergjajn të qytetit. ‘Ora news’ raporton se hetuesit e dosjes penale, kanë administruar në çështjen hetimore edhe letërporosinë e ardhur nga Italia.
Mes materialeve të mbërritura nga Italia është dhe dëshmia e italianit, i cili tregon në disa momente dhe personat që kishte bashkëpunuar në Shqipëri, me qëllim krijimin e kushteve të një ngjarje kriminale, ku të sajohej vdekje ma zjarr e tij. Një pjesë tjetër e dëshmisë së italianit merret me rezerva nga grupi i hetimit, duke pasur parasysh faktin se ai është treguar jo i sinqertë dhe trillues në rrëfimin e tij.
Pecorelli do të merret i pandehur për akuzën e “Shkatërrimit të pronës me zjarr”, pasi ka djegur me benzinë makinën “Skoda” që kishte marrë me qira në afërsi të Rinasit në Tiranë. Akuza të tjera që pritet të ngrihen ndaj tij, janë “Kallëzimi i Rremë” duke e shoqëruar me krijim të provave të rreme, “Kalim të paligjshëm të kufirit Shqiptar”, dhe “Ushtrim i veprimtarisë tregtare pa licencë”.
Davide Pecorelli u zhduk për 8 muaj me radhë në vitin 2021 pas një udhëtimi që zhvilloi në Pukë. Duke djegur makinën e tij, Pecorelli sajoi vdekjen e tij, ndërsa hetimet për të vijonin prej muajsh. Por sajesa e vdekjes nuk i zgjati shumë sepse u njoh nga qytetarët italiane. Në muajin shtator 2021, Pecorelli u zbulua nga policia Italiane në një gomone që po mbytej. Ai u gjend në ishullin Elba në Toskana të Italisë.