Kanë kaluar 5 ditë nga marrja e vendimit për dënimin me burg të ish-ministrit të Bredshëm, Saimir Tahiri, por dy hetuesit e SPAK, ende nuk kanë ankimuar vendimin. Dritan Premçi dhe Vladimir Mara, dy hetuesit e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kanë 30 ditë kohë për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e formës së prerë nga Apeli i GJKKO-së. Të dy kërkuan nga Gjykata 12 vite heqje lirie për ish-ministrin, për akuzat e trafikimit të narkotikëve dhe bashkëpunimit me një grup të strukturuar kriminal.
Prokurorët thanë se kanë prova se ish-ministri i Brendshëm ka pasur lidhje me anëtarët e grupit dhe Habilaj dhe i kanë mbështetur e mbrojtur ata në të paktën katër episode trafikimi të drogës në drejtim të Italisë. Por pretenca e tyre nuk u mor parasysh duke dënuar me vetëm 5 vite heqje lirie, ish-zyrtarin, dënim që i reduktohet në 3.4 për shkak se përfiton nga procedura e gjykimit të shkurtuar. Ndaj dhe i shkurohet edhe 1/3 e dënimit. Deri më tani, as mbrojtja e Tahirit nuk ka bërë rekurs pasi presin zbardhjen e plotë të vendimit të Gjykatës së Apelit, ndërsa vetë ish-ministri pritet që të transferohet së shpejti në burgun e Rrogozhinës, ku edhe do të vuajë dënimin.
Edhe pse ish-ministri kërkoi pafajsinë, sërish togat e zeza i konsideruan të forta provat kundër tij duke e dënuar me burg. Akuza e argumentuar nga Prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij. Beteja pritet që të vijojë sërish në Gjykatën e Lartë, por kësaj here ka një ndryshim, Tahiri nuk do të shkojë më si i pandehur, por si fajtor me pranga në duar në kërkim të lirisë.