Kievi jep lajmin e ‘frikshëm’: Putin përgatit rekrutim prej 500,000 ushtarësh!

0

Koha për t’u rigrupuar pas pengesës së javëve të fundit duket se është ajo që dëshiron të fitojë presidenti rus Vladimir Putin me apelin e tij për armëpushim disa orësh në luftimet në Ukrainë, një armëpushim që Kievi nuk e pranon, ndërsa Perëndimi e karakterizon “aktrim”.

Në të njëjtën kohë, siç raportohet nga gazeta britanike The Guardian, shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës pretendoi se Rusia do të urdhërojë mobilizimin e deri në 500,000 trupave në janar, mbi 300,000 që kërkoi në tetor, në një tjetër shenjë të qartë se Vladimir Putin nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës.

Vadym Skibitsky, zëvendës-shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, tha se Ukraina besonte se rekrutët do të ishin pjesë e një serie sulmesh ruse në pranverë dhe verë në lindje dhe jug të vendit.

Rusia ka mohuar se po përgatit një valë të dytë mobilizimi, me Putinin që tha muajin e kaluar se ishte “e pakuptimtë” të flitej për rekrutimin e ri, duke pretenduar se vetëm gjysma e atyre tashmë të mobilizuar ishin dërguar në Ukrainë.

Nëse vlerësimi i Kievit rezulton i saktë, Rusia do të ketë gati dyfishuar fuqinë e saj të paraluftës brenda disa muajsh. Inteligjenca ushtarake e Ukrainës raportoi se 280,000 trupa tokësore ruse janë vendosur aktualisht kundër Ukrainës.

Gjatë verës, shefi i sigurisë kombëtare të Ukrainës, Oleksii Danilov, tha se një milion ukrainas po fitonin përvojë luftarake, megjithëse ka të ngjarë që vetëm një pakicë e këtij numri të jetë në detyrë aktive.

Skimitsky tha se Rusisë do t’i duheshin rreth dy muaj për të mbledhur formacionet ushtarake dhe çdo sukses rus në fushën e betejës do të varet nga sa mirë të pajisur dhe të trajnuar janë rusët. Shumë do të varet gjithashtu, tha ai, nga furnizimi i vazhdueshëm i municioneve dhe armëve perëndimore në Ukrainë, në mënyrë që të pajisen njësitë e reja rezervë që po përgatit Ukraina.

“Nëse Rusia humbet këtë herë, atëherë Putini do të shembet”, tha Skimitsky, duke përshkruar gjashtë deri në tetë muajt e ardhshëm si shtytja përfundimtare.

Armëpushimi i njëanshëm

Zyrtarët rusë, përfshirë Putinin, më parë mohuan planet për të urdhëruar një mobilizim përpara se të shpallnin përfundimisht një “mobilizim të pjesshëm” në shtator. Paralajmërimi i Ukrainës për mobilizim të ri vjen pasi Rusia pretendon se ka respektuar armëpushimin e saj të njëanshëm në Krishtlindjet Ortodokse Ruse.

Pavlo Dyachenko, një oficer policie Bakhmut, siguroi se armëpushimi është një “provokim” nga rusët dhe nuk do të ndihmojë banorët e qytetit. “Ata bombardohen ditë e natë dhe ka të vdekur pothuajse çdo ditë”, tha ai. Ushtria ruse thotë se i bindet armëpushimit, por akuzon forcat ukrainase se “vazhdojnë të bombardojnë qytetet dhe pozicionet ruse”.

Një zyrtar i lartë ukrainas, Kirill Tymoshenko, tha se dy sulme ruse u raportuan në Kramatorsk. Një ndërtesë banimi është goditur, por nuk ka të lënduar. Më herët, para armëpushimit, ai kishte njoftuar se rusët kishin bombarduar Kherson. Në rajonin e Luhanskut, autoritetet lokale raportuan 14 të shtëna me armë zjarri dhe tre sulme ruse. Qytetarët “qëndruan gjithë ditën në bodrumet e shtëpive të tyre”.

Nga ana tjetër, autoritetet separatiste pro-ruse në Ukrainën lindore thanë se kishte bombardime të forta ukrainase në bastionin e tyre të Donetsk para dhe pasi armëpushimi supozohej të fillonte në mesditë.

“Hipokrizia” e Kremlinit

Të enjten, pas propozimit të Patriarkut të Moskës Kirill dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, me të cilët foli në telefon, Vladimir Putin i kërkoi ushtrisë që të respektojë një armëpushim prej 36 orësh (nga ora 12.00 e sotme deri në mesnatën e 7 janarit) në të gjitha frontet për të festuar Krishtlindjet, bazuar në kalendarin Julian të ndjekur nga Kisha Ortodokse Ruse.

Ukraina, megjithatë, shprehu dyshime për sinqeritetin e nismës ruse, të cilën e konsideroi një “aksion propagandistik”. Presidenti Volodymyr Zelensky tha se ishte një “pretekst që synon ndalimin e përparimit të ushtarëve tanë në Donbas dhe transportimin e pajisjeve dhe municioneve” për ushtarët rusë.

Putin u bëri thirrje forcave ukrainase që të respektojnë armëpushimin për të lejuar ortodoksët të “frekuentojnë shërbimin” në prag të Krishtlindjeve dhe në ditën e Lindjes së Krishtit. Udhëheqësi rus “ishte gati të bombardonte spitalet, kopshtet dhe kishat (…) më 25 dhjetor dhe Vitin e Ri”, u përgjigj presidenti amerikan Joe Biden, duke argumentuar se Putin thjesht po kërkonte “të dilte nga një situatë e vështirë”.

Për më tepër, kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, foli për “hipokrizinë” e Moskës. Parisi denoncoi “përpjekjen e Rusisë për të fshehur përgjegjësitë e saj” pasi ajo vazhdon “të bombardojë pamëshirshëm të gjithë territorin ukrainas”, ndërsa sekretari i jashtëm britanik James Cleverly bëri thirrje për tërheqjen e forcave ruse, duke thënë se ky armëpushim “nuk rrit perspektivat për paqe”. Një armëpushim i tillë “nuk do t’i sjellë as liri as siguri” Ukrainës, vlerësoi gjithashtu diplomacia gjermane.

Gjermania dërgon tanke në Ukrainë

Putin siguroi të enjten se Rusia ishte e gatshme për “dialog serioz” me Ukrainën, me kusht që Kievi të përkulet ndaj kërkesave ruse dhe të pranojë “realitetin e ri territorial”, përkatësisht aneksimin e katër provincave të Ukrainës – të cilat megjithatë Moska nuk i kontrollon plotësisht.

Zelensky, nga ana e tij, këmbënguli që të gjitha forcat ruse të tërhiqen nga territori ukrainas, përfshirë Krimenë, në mënyrë që të fillojë një dialog me Moskën. Ndryshe, ai paralajmëron se do të rimarrë territoret e pushtuara me forcë, me mbështetjen e Perëndimit.

Në fund të fundit, aleatët perëndimorë të Kievit duket se sapo e kanë zgjidhur problemin e dërgimit të tankeve, gjë që është absolutisht e nevojshme për një kundërsulm të mundshëm ukrainas. Gjermania do t’i dorëzojë ushtrisë ukrainase 40 automjete të blinduara Marder brenda tremujorit të parë të vitit, njoftoi sot Berlini. Të mërkurën, Franca gjithashtu njoftoi se së shpejti do të dërgojë tanke të lehta AMX-10 RC, të cilat përdoren nga ushtria franceze, në Ukrainë. Ende nuk është specifikuar se sa tanke dhe kur saktësisht do të dërgohen.

SHBA do të dërgojë tanke Brandley dhe pritet të shpallë një paketë të re ndihme të mbrojtjes me vlerë më shumë se 3 miliardë dollarë, ndërsa Gjermania do t’i japë Ukrainës një sistem kundërajror Patriot siç ka bërë tashmë Uashingtoni.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu