Kikia: Historia që përsëritet nuk është më aksident!

0
Nga Mentor Kikia: Historia që përsëritet nuk është më aksident!
Në vitin 1912, Shqipëria ishte vendi i fundit që fitoi pavarësinë nga Perandoria Osmane, kur ajo ishte shthurur e rrënuar. Por më shumë se turqit, kundër pavarësisë së Shqipërisë luftuan vetë shqiptarët. Haxhi Qalimi, edhe pse një dallkauk, mblodhi aq ushtarë për të luftuar qeverinë e Princ Vidit, sa nuk kishte mbledhur askush që nga koha e Skënderbeut për të luftuar kundër Turqisë. Nëse nuk do të kishin qenë faktorë të huaj dhe rrethana të tjera historike, me të tjerë tradhëtarë si Esad Pasha, që çuan në litar Haxhi Qamilin, nuk dihet se cila do të kishte qene rrjedha e historisë tonë.
Një popull, pas 450 pushtim-kolonizim-bashkëjetesë me një fuqi të huaj, luftonte kundër pavarësisë së tij!
Në vitin 1990, Shqipëria ishte vendi i fundit që ndryshoi regjimin. Komunizmi kishte rënë në të gjithë Lindjen, ndërsa në Shqipëri diktatura dërgoi emisarët e saj të organizonin kryengritjen kundër saj, për të vazhduar të kontrollojnë pushtetin. Dhe, zgjedhjet e para poluraliste, këtu i fitoi sërish diktatura. Ramiz Alia u bë president me zgjedhje demokratike. U desh një ndërhyrje ne sforcuar ndërkombëtare që qeveria “demokratike” e komunistëve të binte nga pushteti.
Një popull, që kishte 45 vjet në diktaturë, në të parën herë që i jepet mundësia të votojë, zgjedh sërish dikaturën.
Në vitin 2022, një politikan që ka diktuar skenën politike për 32 vjet, zgjidhet sërish në krye të partisë politike që ai themeloi në vitin 1990. Përtej artificave me ”kryetar në detyrë” apo me një vendim të pritshëm gjykate për vulën e partisë, Sali Berisha është sot kryetar i partisë më të madhe opozitare në vend. Janë sërish faktorë të huaj që janë futur në një përpjekje të sforcuar për ta pengaur Berishës të shkojë më tej në ambicjen e tij politike, për tu rikthyer në pushtet.
Megjithatë, përtej Berishës, në vitin 2025, pra plot 35 vjet pas rënies së dikakturës komuniste, shqiptarët do të kenë në fletën e votimit, tre aktorë politikë, që janë ngjitur në skenë pikërisht në vitin 1990, Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta. Ka nga një mijë arsye për secilin, për të ikur jo nga pushteti, por edhe nga vendi nëse do të jetë e mundur.
Këta janë strategët e çdo gjëje që është bërë mirë, keq apo shumë keq në këtë vend. Historia nuk shkruhet tani, pa u ftohur ngjarjet, por ajo që dihet sot është se vendit vazhdon të jetë në top listën e vendeve të korruptuara në Europë dhe në shkallë globale. Si askund tjetër, korrupsoni është kaq flagrant, saqë kontrollon edhe Parlamentin, duke bërë ligje të posaçme për të justifikuar aferat që nuk mund të zhbëhen as nga gjykatat. Për pasojë, njerëzit janë me sytë nga pikat kufitare për të ikur. Por sërish këta janë aty sepse ne i mbështesim, ashtu siç mbështën në kohë të tij Haxhi Qamilin me ushtarë, siç mbështetën Ramiz Alinë me votë.
Sali Brisha u zgjodh kryetar i PD-së me votë, të dielën. Ka në atë parti nga ata që nuk e duan, por e shikojnë si njeriun e vetëm që mund të rrëzojë Ramën nga pushteti.
Por vetë Sali Berisha është garancia më e madhe e Ramës në pushtet. Ai nuk lejon njeri tjetër të rritet politikisht në partinë e tij, duke qenë njëkohësisht edhe gogoli pas të cilit fshihet Edi Rama.
35 vjet pas rënies së dikaturës, ne do të kemi sërish një betejë politike mes Ramës dhe dyshes Berisha-Meta. Nuk ka rëndësi se kush do të fitojë, Haxhi Qamili apo Esad Pasha, atë do ta vendosim ne me votë, të bindur se do të zgjedhim më të mirën mes dy të këqijave.
Ne, me votë do të dëshmojë sërish, se historia nuk ka ndodhur rastësisht ashtu siç ka ndodhur, por kemi qenë ne që e kemi shkruar, me pushkë dhe me penë, ashtu siç kemi dashur.
Në mënyrën më të keqe të mundshme!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu