Tregtia e mallrave, si eksportet edhe importet kanë rënë ndjeshëm në vitin 2023, për shkak të zhvlerësimit të euros e dollarit, por edhe si pasojë e rënies së çmimeve në tregjet e huaja. INSTAT thotë se energjia, ndërtimi e tekstilet kishin ndikimin më të fortë negativ në rënien e tregtisë. Sa i takon partnerëve tregtar kryesor për vitin 2023 është fuqizuar më shumë prezenca e produkteve kineze bë vendin tonë.
Viti 2023 u mbyll me bilanc negativ për tregtinë e mallrave. Raporti i fundit i Institutit të Statistikave tregon se eksportet e mallrave përgjatë 12 muajve arritën në vlerën 440 miliardë lekë duke rënë me 9.5% në raport me vitin 2022.
Ndërsa nga ana tjetër me 8.2% është ulur edhe vlera e importeve, pasi bizneset vendase kanë blerë jashtë vendit produkte me vlerë 873 miliardë lekë. Ndikimin më të fortë në uljen e importeve e ka dhënë energjia elektrike me 7.3% për shkak se gjatë vitit të shkuar vendi ka ulur sasinë e energjisë së blerë për shkak të prodhimit të lartë vendas, duke bërë që të ulet edhe vlera monetare e importeve.
Po ashtu është ulur me 1.5% importi i materialeve të ndërtimit, dhe me -0.8% importi i tekstileve dhe këpucëve. I vetmi grup që ka performuar pozitivisht ka qenë importi i makinerive dhe pjesëve të këmbimi, që ka pasur rritje me 2.7%.
Ndërkohë deficiti tregtar në fund të vitit 2023 zbriti në 432 mld lekë thotë INSTAT, duke u ulur me -6,7 %, krahasuar me vitin 2022.
Shkaqet kryesor për uljen e tregtisë, janë zhvlerësimi i valutave kryesisht i euros dhe i dollarit i cili ka bërë që fitimet e kompanive të ishin më të ulta kur behej konvertimi nga valutë në monedhën vendase. Por po ashtu ka ndikuar edhe ulja e çmimeve për mallra të ndryshime si karburanti apo energjia në tregjet e huaja.
Sa i takon partnerëve tregtar kryesor për vitin 2023, INSTAT thotë se ishin Italia që mban 29.2% të peshës së shkëmbimeve tregtare ndjekur nga Kina me 7.9%, Turqia me 6.8% dhe Greqia me 6.5%. Në raport me vitin 2022 kanë rënë pozitat e Turqisë dhe të Gjermanisë, kjo e fundit nuk është në listën e 4 partnerëve kryesor dhe është fuqizuar më shumë prezenca e produkteve kineze bë vendin tonë.