TIRANË- Dy persona janë bërë bashkëpunues të SPAK lidhur me dosjen e kokainës e cila u gjet në Frakull. Bëhet me dije se, dy të arrestuarit kanë pranuar të bashkëpunojnë me drejtësinë në cilësinë e të penduarve, duke dhënë informacione të rëndësishme për aktivitetin kriminal dhe për personat e tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
Dy personat që kanë vendosur të bashkëpunojnë me drejtësinë janë persona të dënuar më herët, ndërsa një prej tyre është me shtetësi shqiptare dhe një i huaj. Ata pritet të japin dëshmi të detajuara mbi aktivitetin e dyshuar kriminal dhe rrjetin e personave të përfshirë. Hetuesit po verifikojnë deklarimet e tyre, ndërsa pritet që “zbërthimi” i plotë i grupit të çojë në identifikimin dhe ndjekjen penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
SPAK më 8 dhjetor 2023 njoftoi mbyllen e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështje në ngarkim të ish-kryetarit socialist të ish-komunës Frakull në Fier, Viktor Çervanaku dhe 10 personave të tjerë, të akuzuar për trafikimin nga Kolumbia të 485.5 kg kokainë të përzier me pleh kimik. Droga u zbulua më 24 nëntor 2022 në banesën e Viktor Çervanakut e cila ishte kthyer në një laborator kokaine.
SPAK zbuloi se nëse kokaina hidhej në treg, do të sillte një përfitim prej 40 milionë euro. Droga hyri në Shqipëri e përzier me “plehun organik” artificial. Kokaina ishte transportuar nga Kolumbia nëpërmjet Portit të Pireut, në Greqi, në drejtim të Portit në Bar, në Malin e Zi. Pastaj në rrugë tokësore ngarkesa është futur në Shqipëri në datën 19 shtator 2022.
Ndërsa më 6 mars të këtij viti, SPAK njoftoi edhe pesë masa arresti të tjera të miratuara nga GJKKO-ja, “arrest me burg”, prej të cilave 3 u ekzekutuan dhe 2 persona u shpallën në kërkim. Mësohet se të akuzuarit janë; Kevin (Arjan) Margjoni, Durim Keçi, Klevent Gjolena, Aldi Zonja dhe Musa Gjikola. Dy të parët, Margjoni dhe Keçi, janë shpallur në kërkim, kurse të tjerët janë të ndaluar.
SPAK tha se të pestë akuzohen për një tjetër episod trafiku në kuadër të organizatës kriminale me 15 persona, 10 prej të cilëve të dënuar më parë nga GJKKO. Për këtë episod trafikimi janë dënuar tashmë 10 shtetas shqiptarë: Nikolin Gjolena, Viktor Çervanaku, Denilson Çervanaku, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), Zenel Çervanku, Enxhi Ferhati, Redion Meshi, Julian Malaj, Bledar Matoshi, Marildo Rona dhe kolumbiani Samir Rosales Rodriguez./





