Komisionet miratojnë marrëveshjen Rama – Meloni, votimi brenda dhjetorit

0

Marrëveshja Rama Meloni për strehimin e përkohshëm të refugjatëve që vijnë nga Italia do të miratohet në Kuvend brenda dhjetorit. Komisionet kanë përfunduar diskutimet, ndërsa ministri Taulant Balla tha se afati do të jetë persë vjeçar. Pas kësaj kohe sërish Parlamenti do të vendosë për të shtyrë periudhën, apo për ta cilësuar të përfunduar

Komisionet parlamenare kanë miratuar marrëveshjen me italinë për qendrat e pritjes së klandestinëve. Me këtë hap i hapet rruga miratimit të draftit brenda muajit dhjetor në seancën parlamentare.

Në diskutimin e tij, ministri i Brendshëm Taulant Balla shprehet se askush nga klandestinët që do të kërkojë azil në shtetin fqinj nuk do qëndrojë në Shqipëri.

Pas afatit 28 ditor të shqyrtimit të dosjes, ata ose kthehen në itali, ose në atdheun e tyre.

“Sqaroj diçka, që mund të keqinterpretohet, numri i migrantëve në territorin shqiptar, nuk mund të kalojë shifrën 3,000 persona. Koha e shqyrtimit të kërkesës për azil është rreth 28 ditë dhe në përfundim, qoftë pozitive, qoftë negative, aplikanti kthehet mbrapsht në Itali ose vendin e origjinës, pra asnjë nuk mund të qëndrojë në Shqipëri. Edhe në rast se migranti ka nevojë për trajtim mjekësor në spitale shqiptare, shpenzimet mbulohen gjithashtu nga pala italiane dhe brenda periudhës së përcaktuar, pra brenda 1 muaji”, tha Balla.

Shpenzimet do t’i ketë qeveria e përtej Adriatikut, si për sigurinë në kamp dhe rreth tij, ashtu dhe shërbimet shëndetësore.

“Të gjitha shpenzimet për zbatimin e këtij protokolli i përkasin palës italiane e cila do të duhet të paguajë edhe çdo kosto tjetër që mund t’i vijë Shqipërisë si pasojë e zbatimit të tij, përmes procesesh gjyqësore nga migrantët që kërkojnë azil. Sqaroj që edhe për pjesën e sigurisë jashtë perimetrit, e cila do të mbulohet nga pala shqiptare, pra Policia e Shtetit, do të jetë pala italiane ajo që duhet të paguajë shpenzimet pranë kësaj qendre pritëse”, tha Balla.

Pakti do të ketë një afat 5-vjeçar e pas kësaj mund të shtyhet ose ndalet. Balla edhe një herë theksoi se Shqipëria jep në dispozicion territorin në mënyrë të përkohshme.

“Përmes këtij protokolli, Shqipëria i jep në përdorim qeverisë italiane një sipërfaqe pasurie shtetërore për ngritjen e strukturave ku do të akomodohen emigrantët e parregullt që kërkojnë të shkojnë në Itali. Nuk bëhet fjalë për asnjë lloj forme të cedimit të territorit, pasi ato mbeten territore të Republikës së Shqipërisë, por ne japim të drejtën e përdorimit të përkohshëm të një sipërfaqeje të caktuar paraprakisht në marrëveshje”, theksoi ministri Balla.

Ndërkaq gjatë raportimit u theksua se bashkëpunuan disa ministri, ajo e mbrojtjes, e brenshme, e jashtme, çështjet sociale dhe financat.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu