Shefja e ISHP-së Albana Fico, tha në konferencën e Komitetit Teknik të Ekspertëve se në ditët e fundit në vendin tonë është vënë re një rritje e lehtë e rasteve të infektimeve.
Fico tha se rastet kanë njohur rritje dhe në shumë vende të tjera të Europës, rrjedhojë kjo e përhapjes së variantit Delta, që në vendin tonë nuk është konfirmuar ende, për shkak të mungesës së të dhënave laboratorike.
Fico kërkoi nga qytetarët respektimin e masave që janë në fuqi nga data 1 Korrik, ndërsa nga sot u zgjat dhe me 1 orë lejimi i muzikës në bare dhe restorante, deri në orën 23:00.
Pjesë nga fjala e Ficos:
Janë disa tregues që paraqesin situatën, incidenca dyjavore është 5 për 100 mijë banorë, ka një rritje të lehtë të rasteve ditore, numri i rasteve ditore është rritur lehtë, ndërkohë që ka një zbritje të numrit të bashkive të prekura nga 10 në 9.
Te shtruar në spitalet covid aktualisht janë 5 persona, nuk kemi persona në reanimacion, numri i vdekjeve ka qenë zero.
Qytetarët të aplikojnë për të bërë vaksinën, situata epidemiologjike ka njohur rritje në disa vende të ndryshme të Europës, për shkak të variantit delta. Siç rekomandohet nga OBSH është e rëndësishme të respektojmë masat e vendosura nga autoritetet shëndetësore.