KOSOVË- Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandër Bochan-Kharchenko ka thënë se mbështetja e Këshillit të Ministrave në Këshillin e Evropës për anëtarësimin e Kosovës, është shpërblim i Perëndimit për politikat anti-serbe të kryeministrit Albin Kurti. Përmes një reagimi në Twitter, Bochan Kharchenko ka thënë se Prishtina po ndjek linjën e SHBA-së dhe BE-së.
“Mbështetja nga Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës për aplikimin e Prishtinës për anëtarësim në organizatë, është një fakt shpërblimi i Perëndimit për politikat anti-serbe të kryeministrit Kurti”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se nuk është rastësi që koha e vendimit ka koinciduar me zgjedhjet e mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës.
“Për mendimin tim, nuk ka nevojë të dëshmohet që Prishtina po ndjek linjën SHBA-BE”, ka shkruar në fund ai.
Komiteti i Ministrave i Këshillit të Europës votoi me mbi 2/3 e votave të shteteve anëtare pro procedimit të aplikimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Europës. Me këtë hap, Kosova përmbylli fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Europës. Pas kësaj, Asambleja Parlamentare do të diskutojë dhe votojë në një takim të radhës për një raport të cilin do ta përgatisë vetë. Raporti mund të shqyrtohet në qershor ose tetor. Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12 maj 2022.