Kompanitë publike dhanë kontributin kryesor në rritjen e kredisë për nëntorin 2021

0

Kredia për kompanitë publike ka arritur nivelin më të lartë në më shumë se një vit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit nëntor, portofoli i huasë arriti në 16.45 miliardë lekë, me një rritje prej 7.2% me bazë vjetore. Kjo shifër përfaqëson nivelin më të lartë që prej shtatorit 2020. Gjithashtu, kompanitë publike kanë dhënë kontributin kryesor në rritjen e portofolit të kredisë për ekonominë gjatë muajit nëntor.

Nga 6.6 miliardë lekë që ishte shtesa e portofolit të kredisë, rreth 3.1 miliardë lekë erdhën nga kompanitë publike, 2.2 miliardë lekë nga kompanitë private dhe 1.3 miliardë lekë nga tregu i kredisë për individë.

Rritja e kreditimit të kompanive publike erdhi kryesisht nga nevojat e operatorëve të sektorit energjetik për të siguruar financime me qëllim blerjen e energjisë elektrike. Kreditë e reja për korporatat publike arritën në pothuajse 3.7 miliardë lekë për nëntorin, me një rritje pothuajse 30 herë krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar.

Në muajin nëntor, qeveria shqiptare mbështeti me garanci sovrane Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për të përfituar një kredi prej 30 milionë eurosh pranë dy bankave tregtare në vend. Impakti në rritjen e huasë së kompanive publike ka ardhur kryesisht prej dy kredive në fjalë. Sipas burimeve nga sektori bankar, mbështetja e kompanive të sektorit energjetik me hua ka vijuar edhe gjatë muajit dhjetor.

Rritja e fortë e çmimeve të energjisë elektrike në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ka vënë në vështirësi kompanitë e sektorit energjetik, që për të përballuar koston e lartë të importeve, janë mbështetur me linja financimi direkte nga qeveria, por edhe me garanci për sigurimin e huave bankare.

Rritja e kërkesës për kredi nga kompanitë publike duket se po ndihmon në alokimin e një pjese të likuiditeteve të lira të bankave tregtare në valutë të huaj. Për më tepër, dhënia e garancisë sovrane nga qeveria shqiptare ka mundësuar zbutjen e rrezikut dhe norma të ulëta interesi.

Për muajin nëntor, interesi mesatar i huave të reja në euro të kompanive publike ishte 2.24%, niveli më i ulët që nga maji i vitit 2016. Përveçse nga garancia sovrane e qeverisë shqiptare, interesi i ulët u ndikua edhe nga vendimi i Bankës së Shqipërisë për të mos kërkuar mbulimin me kapital për kreditë në fjalë, duke i ponderuar me koeficient zero për efekt të llogaritjes së treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit. Huamarrja në euro nga sektori bankar ka ndihmuar edhe në zbutjen e presioneve nënçmuese në kursin e këmbimit të monedhës vendase me euron.

Vitin e kaluar, OSHEE siguroi gjithashtu një kredi prej 70 milionë eurosh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), edhe kjo e garantuar nga qeveria shqiptare. Në pjesën më të madhe, edhe kredia e BERZH do të përdoret për nevoja likuiditeti të kompanisë. (MONITOR)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu