Këmbëngulja e Kosovës që pakica serbe duhet të dorëzojnë targat e lëshuara nga Serbia po i tensionon marrëdhëniet me mbështetësit e saj kryesorë ndërkombëtarë, BE-në dhe Shtetet e Bashkuara.
PRISHTINË- Një grindje mbi targat e makinave duket një arsye e pamundur për vendosjen e trupave në ushtri dhe për t’u përplasur me partnerët ndërkombëtarë. Por Serbia dhe Kosova aktualisht po bëjnë pikërisht këtë gjë. Këmbëngulja e Kosovës që pakica serbe duhet të dorëzojnë targat e lëshuara nga Serbia po i tensionon marrëdhëniet me mbështetësit e saj kryesorë ndërkombëtarë, BE-në dhe Shtetet e Bashkuara.
Trupat paqeruajtëse të Kfor-it të NATO-s po shtojnë patrullimet në Veri të Kosovës në rast të ndonjë incidenti. Dhe ministri i mbrojtjes i Serbisë thotë se trupat e saj po qëndrojnë pranë “për të mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, përfshirë serbët në Kosovë”. Menjëherë pas mesnatës së të martës, policia e Kosovës filloi të jepte vërejtjet e para me shkrim, pasi afati për ndërrimin e targave kishte skaduar.
Qortimin e parë e mori një grua nga Serbia, e cila kaloi nga dogana e Jarinjes. Njoftimi i policisë paralajmëronte se ajo duhet të hiqte targat e lëshuara nga Serbia nga makina e saj deri më 21 nëntor, ose do të përballej me gjobë. Por shoferja kundërshtoi, duke thënë se ajo do të priste të dëgjonte ndonjë lajm nga qeveria e Serbisë përpara se të bënte ndonjë ndryshim në mjetin e saj. Ndërkohë që deri më tani ka shumë pak gjasa që Beogradi të ndryshojë qëndrimin e tij. Pretendohet se serbët e Kosovës kanë çdo të drejtë të përdorin targa të lëshuara nga Serbia, duke reflektuar mosnjohjen nga Beoradi të shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Petar Petkoviç – shefi i zyrës së qeverisë për Kosovën – ka shkoqitur grumbujt e dokumenteve të grumbulluara në tavolinën e tij, duke prezantuar situatën. Ai theksoi klauzolat që prezantoi, ishin prova se autoritetet në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, kanë refuzuar marrëveshjet e arritura përmes një dialogu të ndërmjetësuar nga BE.
“Prishtina është fajtori i vetëm këtu”, tha ai për BBC.
Pretendimi për “dhunë” i referohet raportimeve se policia në Kosovë do të konfiskonte vetura me targa serbe. Në fakt, plani aktual është pak më pak dramatik. Pas tre javësh nga fillimi i lëshimit të paralajmërimeve me shkrim, Policia do të fillojë të japë gjoba prej 150 € për çdo shofer që nuk e ka lëshuar targën.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Beslimi, duhej t’i shpjegonte të gjitha këto ndryshime në Konferencën e Sigurisë në Beograd të premten e kaluar. Por policia serbe e ktheu atë mbrapsht, gjoja për sigurinë e tij, para se të arrinte në destinacion. Si përfundim, ai u paraqit në konferencë me video e tha se nuk ishte penduar që Kosova kishte injoruar lutjet e BE-së dhe SHBA-së për të vonuar goditjen.
“Prishtina thjesht po kërkon që ligjet e saj të respektohen. Në të kaluarën, BE-ja ka pasur tendencë për të zgjidhur çështjet duke i shtyrë. Shtyrja vetëm sa e bën problemin më të madh – edhe ne vetëm sa e transferojmë problemin te burokrati tjetër në BE. Ne nuk mendojmë se ky është ilaçi më i mirë për trajtimin e problemeve afatgjata,”- tha ai për BBC.
Diplomatët e huaj po ashtu nuk kanë marrë mundimin të fshehin shqetësimin e tyre. BE tha se ishte “zhgënjyer” që këshilla e saj për të shtyrë aksionin për 10 muaj “nuk është respektuar”. Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, u shpreh i zemëruar kur foli në të njëjtën seancë të Konferencës së Sigurisë në Beograd si Besnik Beslimi.
“Ne kemi folur për armë bërthamore kohët e fundit. Kjo temë është më e rëndësishme se targat. Fokusimi në detajet e vogla nuk do i zgjidh çështjet themelore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”
Në ndërkohë, banorët në Mitrovicën e Veriut, qyteti më i madh me shumicë etnike serbe në Kosovë, janë gjithashtu të shqetësuar. Jovana Radosavljeviç jeton atje, duke drejtuar Iniciativën e Re Sociale – një organizatë që promovon besimin midis komuniteteve. Ajo thotë se shumë serbë etnikë janë të ngopur duke u lënë mes dy zjarreve, midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Edhe me dialogun e Brukselit dhe zbatimin e integrimit, komuniteti lokal nuk u pyet se si ndihen, çfarë duan dhe si duan të bëhet.”
Gjithë çfarë kuptojmë është që mosmarrëveshja e targave po shërben për të theksuar faktin që përpjekjet për normalizim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë kanë ngecur./BBC