Kontrolle në burgun e Drenovës, gjendet një celular në qelinë e Laert Haxhiut

0

Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve gjatë një operacioni në Burgun e Drenovës, kanë gjetur një celular në qelinë e Laert Haxhiut.

Menjeherë është bërë sekuestrimi i telefonit, dhe pritet të kqyret nëse ka patur kontakte përmes tij ndërsa kanë nisur hetimet për të zbuluar se si është futur pajisja e ndaluar në organet e vuajtjes së dënimit dhe nëse ka patur bashkëpunim me përgjegjës të sigurisë në burg.

Laert Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm për atë që njihet si masakra e Lushnjes në vitin 2017 ku mbetën të vrarë dy persona, Zamir Latifi, mik i nipit të Aldo Bares, dhe Jurgen Hoxha. Ndërkohë pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja dhe një kalimtar mbetën të plagosur aksidentalisht.

Haxhiu po gjykohet në Gjykatën e Posaçme për të paktën 17 ngjarje kriminale, mes të cilave vrasje e atentate, shpërthime me tritol e grabitje me dhunë. Zbërthimi I bandës së tij erdhi përmes dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani.

Laert Haxhiu u ekstradua më 3 korrik të vitit të kaluar nga Greqia një vit pasi ishte arrestuar në shtetin fqinj.