Kontrolli i pasurive, Tatimet hetojnë pronarët e makinave të luksit që nuk justifikojnë të ardhurat

0

TIRANA- Drejtoria e Kontrollit të Specializuar pranë Administratës Tatimore ka nisur kontrollin për makinat e luksit të blera nga individë të paregjistruar në organet tatimore. Nga të dhënat e vëna në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor rezulton se 400 automjete janë blerë gjatë vitit 2023-2024 nga persona të cilët nuk kanë të ardhura të deklaruara.

Sipas administratës tatimore, aksioni për kontrollin e individëve që disponojnë automjetet e luksit, do të përfshihen në një proces verifikimi, nga ku do të analizohen përmes të ardhurave të deklaruara, përputhshmërisë së tyre me vlerën e pasurive të zotëruara, si dhe me dokumentacionin justifikues të burimit financiar.

“Administrata Tatimore u sugjeron individëve të deklarojnë të ardhurat e përdorura për blerjen e këtyre mjeteve në mënyrë që të shmangin penalitete.

Të gjithë individët që zotërojnë automjete të kategorisë luksoze do të përfshihen në procesin e verifikimit nëpërmjet analizës së:

Të ardhurave të deklaruara pranë AT

Përputhshmërisë së tyre me vlerën e pasurive të zotëruara

Dokumentacionit justifikues të burimit financiar”, thuhet në njoftim.

Verifikimi i të ardhurave dhe kontrolli i pasurive të pajustifikuara

Në strategjinë afatmesme të të ardhurave 2024-2027 përcaktohet se një nga drejtimet kryesore të reformave të ndërmarrë nga Administrata Tatimore është edhe verifikimi i të ardhurave dhe kontrolli i pasurive të pajustifikuara të tatimpaguesve, përmes ndërtimit të sistemeve të avancuara të mbledhjes dhe analizës së të dhënave. Krijimi i Regjistrit Qendror të Llogarive Bankare, zbatimi i standardeve ndërkombëtare të shkëmbimit të informacionit (CRS), dhe angazhimet konkrete në kuadër të Planit të Rritjes së Axhendës së Reformave të Komisionit Europian, përbëjnë themelin e këtij procesi.

Këto masa synojnë jo vetëm rritjen e përputhshmërisë tatimore, por edhe ndërtimin e një sistemi më të drejtë dhe të qëndrueshëm financiar në vend.
Në strategji përcaktohet se deri në qershor 2025, AT duhet të ketë akses dhe të përdorë të dhënat e këtyre regjistrave për të hetuar pasuritë e pajustifikuara, me qëllim të identifikohen diferencat mes të ardhurave të deklaruara dhe stilit të jetesës/pasurive të zotëruara.

Po ashtu më shumë se 200 individë me pasuri të lartë do të jenë objekt i auditimeve, bazuar në analizën e riskut dhe të dhënat nga sistemet e reja. Afati për kontrollin e tyre është deri në fund të vitit 2026.

“Me strukturën e re të AT të miratuar në Maj 2023, është krijuar Drejtoria e Informacionit- Sektori i Komunikimit, i cili do jetë përgjegjës edhe për CRS. AT është në fazën e rekrutimit të stafit dhe me rektrutimin e tij lind nevoja edhe për trajnimin e tij lidhur me CRS.

Prioritare do të jetë krijimi i dy sistemeve të rëndësishme, për AT për të pasur të dhënat e nevojshme mbi pasuritë totale të individëve, nga palët e treta, për të bërë investigimet përkatëse për përputhshmërinë tatimore.

Bazuar në sistemet ekzistuese si dhe në sistemet e reja, në periudhën afatmesme AT do të ndërmarrë një seri auditimesh si të individëve ashtu edhe të tatimpaguesve.

Plani i Rritjes së Axhendës së Reformave të KE-së ka përcaktuar katër masa të qarta me indikatiorë e afate lidhur me krijimin e regjistrit të aseteve, përdorimin e të dhënave të palëve të treta, auditimi i mbi 200 individëve të pasur brenda vitit 2026. Masat që do të ndërmerren nën këtë komponent si dhe në komponentin 2.4 lidhur me zvogëlimin e shmangieve tatimore do të bëjnë të mundur realizimi e këtyre kushteve dhe të indikatorëve përkatës.

Prioritetet për periudhën 2024-2027 janë:
1. Zbatim plotësisht i kushteve sipas Planit të Rritjes në:
1. Ngritja e Regjistrit të Aseteve të tatimpaguesve me synimin e një vlerësimi real të pasurive të tatimpaguesit, dhe plotësimi i regjistrit të pasurive të tatimpaguesve për 10% të tatimpaguesve brenda vitit 2026.
2. Përdorimi i të dhënave nga palë të treta si nga regjistri i shërbimeve publike (elektrike, ujë , regjistri i automjeteve, bashkive për t’i mundësuar AT hetimin e pasurive të pajustifikuara te taksapaguesve (qershor 2025).
3. Kryerja e procedurave të auditimit për mbi 200 individë të pasur, bazuar në vlerësimin e riskut, brenda vitit 2026.
4. Shkëmbimi automatik i informacionit tatimor me administratat tatimore të huaja në kuadër të CRS dhe përdorimi i tij.”/ Monitor