Korça, Elbasani dhe Kukësi na lanë ‘Shëndenë’!

0

Nga Edi Oga

Duket si lojë fjalësh apo si shaka vere, por nuk është e tillë.

Imagjinoni sikur të kishit vizituar këto qytete para gjashtë vitesh dhe t’i rivizitoni këtë verë e t’i gjenit bosh? Pa njerëz. Zero. Kjo është për të thënë ndryshe se në gjashtë vitet e fundit Shqipërinë e kanë lënë aq njerëz sa numri i qytetarëve që figurojnë në gjendjet civile të qyteteve Korçë, Elbasan dhe Kukës të marra së bashku!

Mbase e shpjeguar kështu, efekti është më dramatik!

Mbase vetëm duke parë qytete të zbrazura krejtësisht, ne do të bindeshim që Shqipëria po zbrazet!

Shqiptarët po ikin masivisht! 220 mijë qytetarë e lanë vendin në gjashtë vite!

Le të shkojnë, mund të thonë disa, në fund të fundit njeriu ka vetëm një jetë dhe i takon ta jetojë atje ku i bëhet më mirë! Më duket e drejtë! Por nëse pyesim ata që “janë rregulluar” andej, ku do të donin të ishin “të rregulluar”, në vend të huaj apo në vendin e tyre? Besoj shumica e tyre do të kishin preferuar të ishin mirë në vendin e tyre. Sepse vendi i tyre (pra Shqipëria jonë) është një vend me klimë të përsosur, me natyrë të mrekullueshme, me male, me fusha, me lumenj, liqene e dete të gjithë pranë njëri-tjetrit. Toka ëshët pjellore. Perimet, frutat, veza, mishi e qumështi kanë shije. Sepse në vendin tënd flet gjuhën tënde, ke njerëzit e tu, ke familjarë e kushërinj, ke shokë e ke miq!

Problemi është se ne nuk “u rregulluam” dot të gjithë këtu. Disa u rregulluan “fort dhe shpejt’, por e bënë në mënyrë të paligjshme, të pabesë dhe të ndyrë; ata u pasuruan pa meritë në kurriz të pjesës tjetër. Të asaj pjese që i besoi, i votoi dhe i toleroi. Tek ajo pjesë që besoi tek liria dhe demokracia e vërtetë dhe si shpërblim morën varfërinë e pandryshueshme, morën zhgënjimin dhe vrasjen e shpresës.

Ata qa emigrojnë duhen kuptuar mirë. Hiq ambiciozët dhe aventurierët, të gjithë të tjerët nuk e kanë pasur aspak të lehtë të marrrin atë vendim, kanë luftuar me muaj e me vite brenda vetes për largimin e madh.

Nuk e dimë nëse hapja e negociatave, pra hapi i radhës i Shqipërisë më pranë Bashkimit Evropian, do ta ndalë a do ta shtojë “hemorragjinë” e shqiptarëve!

Nuk e dimë nëse edhe ne të tjerëve jeta do të na vërë në dilemën të rrimë apo të ikim!

Një gjë e dimë me siguri; jeta është bërë më e vështirë dhe pasiguria për të më e madhe se më parë. Jo vetëm në Shqipëri. Nëse e vetmja zgjidhje për një jetë më të mirë është largimi, le të largohemi të gjithë. Nëse ka ndonjë mundësi që jetën ta ndërtojmë e ta jetojmë këtu ku na takon dhe na pëlqen më tepër, të mos e injorojmë. Duhet mbledhur mendja. Sot, se nesër është tepër vonë!

Marë nga NewsBomb

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu