Gjykata e Posaçme ka ndryshuar masën e sigurisë për pronarin e firmës që i dha para sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro.
Vladimir Topi do hetohet nën masën e arrestit shtëpiak.
Gjykata ndryshoi masën e sigurisë për Topin për shkak se është i moshuar, ndërsa la në burg inxhinierin e firmës Silvi Shehu.
Përpara gjykatës Shehu është shprehur se biznesmeni Topi i ka dhënë një zarf ku i ka thënë t’ja dorëzojë punonjëses së ministrisë dhe se brenda tyre ka dokumente.
Duro dhe të tjerët u vunë në pranga për një tender, ku dyshohet se vlera e ryshfetit është 330 mijë lekë të rinj.
Sipas SPAK janë grumbulluar prova që krijojnë inxhinieri i firmës Dricons sh.p.k, pasi e ka marrë vlerën monetare prej 330. 000 lekë nga banesa administratorit Vladimir Topi, ja ka dërguar më pas punonjëses së ministrisë së shëndetësisë Loreta Sheto, e cila ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro, kjo e fundit u kap në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar nëpërmjet korrupsionit.
Gara midis tetë kompanive prej të cilave doli fituese nëpërmjet korrupsionit Dricons , e cila për vlerën e 800 mijë lekëve do të supervizonte rikonstruksionin e disa qendrave shëndetësore në Tiranë dhe në Durrës nuk ishte e vetmja që ajo ka fituar.