Kancelarja Angela Merkel i dërgoi të hënën mesazh Kosovës që të mos shpresojë se Serbia ka për ta njohur pavarësinë e saj pa u zgjidhur më parë problemet ekzistuese mes tyre.
Kryetarja në ikje e qeverisë gjermane ishte në Beograd ku u prit me ceremoni shtetërore e shoqëruar nga presidenti Aleksandër Vuçiq.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Merkel tha se ajo ka një qasje më pragmatike në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.
“Jo të gjithë anëtarët e Bashkimit Europian e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Duhet zgjidhur kjo që të afroheni me BE-në. Nuk ka kuptim të flasim për mbylljen e një procesi pa u zgjidhur çështjet e tjera dhe pastaj i tërë procesi.”
Presidenti Vuçiq shtoi se Beogradi është zotuar për dialog dhe për kompromis me Prishtinën pasi konflikti i ngrirë nuk i intereson palëve.
“Jemi të gatshëm të diskutojmë për zgjidhje, por së pari të rregullojmë raportet, të lëvizim lirshëm mallrat, njerëzit, shërbimet, kapitalin që të afrohemi së bashku. Jemi absolutisht të vetëdijshëm se nuk kemi për të qenë pjesë e BE-së pa i zgjidhur këto dhe e dimë sa e vështirë e problematike është kjo për ne, për një milion arsye.”
Dy shtetarët u pyetën edhe për Procesin e Berlinit që synon bashkëpunimin rajonal në aspektin ekonomik dhe socialo-politik, përpara se Ballkani Perëndimor të integrohet në BE.
Kancelarja Merkel tha se është i gabuar perceptimi se Brukseli nxjerr vazhdimisht justifikime të reja për ta vonuar procesin.
“Dijeni se ka interesa të mëdha gjeostrategjike që këto vende të jenë brenda BE-së. Ndonjëherë ka vonesa por ka edhe palë të tjera në botë që ushtrojnë influencën e tyre.”
Presidenti Vuçiq deklaroi se Procesi e ka kryer rolin e vet primar në afrimin e fqinjëve dhe mori shembull takimet e shpeshta me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
“Takimi fundit mes përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Serbisë ishte në vitin 1947. Kanë kaluar pak vite nga procesi, dhe tani Rama e unë dëgjohemi çdo dhjetë ditë, shihemi çdo muaj dhe punojmë bashkë për të hapur kufijtë,” u shpreh presidenti serb, në konferencën e lamtumirës me kancelaren Merkel, e cila për pak javë ka vendosur të tërhiqet nga skena politika.