KPA shkarkon kreun e Prokurorisë Lezhë për abuzime të rënda me detyrën

0

Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar kreun e Prokurorisë Lezhë, Erjon Shehaj.

Trupi gjykues mori vendimin për Shehajn, i cili më parë kishte kaluar shkallën e parë të Vettingut, edhe pse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi probleme me pasurinë dhe profesionalizimin.

Komisioneri Publik ankimoi vendimin.

Në arsyetimet e KPA gjatë seancës së sotme ku edhe u mor vendimi theksohet se:

-Erjon Shehaj nuk ka kryer veprime hetimore për dosjet dhe ka cenuar garancitë proceduriale të personave.

-Lidhur me një nga çështjet trupi gjykues shprehet se nuk do të mbajë qëndrim, pasi çështja është për gjykim në Gjykatën e Lartë.

-Për 4 raste trupa gjykues vlerëson se janë konstatuar shkelje nga ana e subjektit të rivlerësimit.

-Në një nga procedimet Shehaj duhet të hiqte dorë pasi ishte në konflikt interesi. Përfshija e tij në këtë procedim ka shkaktuar pavlefshmëri të akteve të procesit penal.

Në seancë mungonte drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. Po ashtu, i pranishëm nuk ishte as Shehaj i cili përfaqësohej nga avokati Julian Mërtiri.

Si rrodhi situata?

Altin Dumani, kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK, njëherësh edhe përfaqësues i institucionit të Prokurorit Publik, ka kërkuar më 19 mars shkarkimin nga detyra të Erjon Shehajt, gjatë një seance të mbajtur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit rreth këtij të fundit.

Gjatë paraqitjes së pretendimeve të tij në KPA, Dumani argumentoi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) duhet të ndryshohet dhe Shehaj duhet të shkarkohet nga detyra si subjekt i rivlerësimit.

“Kërkoj ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Erjon Shehaj”, theksoi Dumani gjatë seancës.

Ai po ashtu ka dorëzuar edhe dokumentacionin përkatës prej 22 faqesh, ku përmblidhen konkluzionet rreth çështjes.

Gjatë renditjes së shkeljeve të Kryeprokurorit të Lezhës, Altin Dumani u ndal tek disa çështje të hetuara nga Erjon Shehaj, në të cilat sipas tij janë konstatuar shkelje.

Altin Dumani deklaroi gjatë seancës në KPA se Shehaj nuk ka kryer hetime për një rast të drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt, duke favorizuar pozitën e te akuzuarit.

Ndërsa për një çështje të vitit 2017, sipas kreut të SPAK, rezulton se dy persona janë dënuar dy herë për të njëjtat vepra penale.

Një tjetër çështje e prekur nga kreu i SPAK Altin Dumani ndërsa po paraqet pretendimet, lidhet arrestimin e një personi që është kapur me hashash e lëndë plasëse.

Dumani shprehet se Shehaj e ka dërguar çështjen për gjykim dhe personi është dënuar me 6 vite burg. Për këtë çështje janë kërkuar shpjegime nga ana e KPK dhe Shehaj ka dhënë shpjegimet e tij.

KPK ka thënë që për denoncimin nuk u gjetën indicie për të hetuar, por kolegji duhet të hetojë në këtë drejtim.

“Në këtë dosje nuk janë bërë hetime, ku e mori drogën personi, ku do ta çonte atë? A jemi përpara veprave penale të kryera në bashkëpunim? Ku e mori lëndën eksplozive? Vetë e montoi? Nëse e montoi vetë, duhet provuar. Personi kishte rrezikshmëri shoqërore dhe dënimi ishte i ulët”, ka deklaruar ndërkaq Dumani.

Dumani ka përfunduar duke kërkuar ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Erjon Shehaj.