Asnjë bankë nuk do të japë kredi për qytetarët që duan të blejnë shtëpinë e parë më shumë se 85% të vlerës së saj. Ndërsa për shtëpi të dytë, vlera e kredisë që do mund të marrin kur është në monedhën Lekë do të jetë 80% e vlerës së pronës.
Ky është vendimi i Bankës së Shqipërisë që hyn në fuqi prej 1 Korrikut dhe është publikuar në fletoren zyrtare. Për huanë e marrë në Lekë kësti i kredisë nuk duhet të jetë më shumë se 40% e vlerës së të ardhurave që ka qytetari, pra nëse të ardhurat e tij janë 100 mijë Lekë në muaj, kësti nuk duhet të jetë më i lartë se 40 mijë Lekë.
Në rregulloren e re të Bankës së Shqipërisë thuhet se kur kredia kërkohet në valutë, për shtëpinë e parë vlera e huasë do të jetë deri në 75%, dhe ulet në 70% për pronën e dytë. Sa i takon këstit mujor ai duhet të jetë deri në 35% të vlerës së të ardhurave.
Afati maksimal për shlyerjen e kredisë do të jetë deri në 30 vjet, ose do të caktohet një afat tjetër nga banka duke marrë në konsideratë moshën e kredimarrrësit, me qëllim që të mos ketë kredi për të shlyer në moshën e pensionit.
Banka e Shqipërisë argumenton se këta kufij marrin në konsideratë dhe janë përshtatur për të adresuar në mënyrë proporcionale rrezikun, në varësi të tipit të pronës dhe monedhës në të cilën jepet kredia.
Megjithatë, vendimi i lejon bankat që të zbatojnë kuota përjashtimi nga kufizimet e mësipërme, me kushtin që, në total, vlera e kredive të përjashtuara të mos kapërcejë 15% të vëllimit të kredive të reja që janë miratuar dhe disbursuar gjatë tremujorit.