Deputetja e LSI-së Erisa Xhixho i ka dërguar një letër kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla për të përshpejtuar procedurat me qëllim futjen në rend dite të nismës ligjore për miratimin sa më parë të projektligjit për krijimin e regjistrit për të dënuarit për krime seksuale.
Xhixho shprehet se është e rëndësishme që Kuvendi ta marrë sa më parë parasysh këtë nismë dhe miratimin e një ligji të tillë, pasi sipas saj do të kishte ndikim në uljen e rasteve të abuzimeve seksuale.
“Në pergjigje të interesimit të madh të shumë shoqatave dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e grave dhe femijëve të dhunuar veçanerisht, të opinionit publik por edhe të shumë institucioneve kushtetuese, për të bërë efektive nismen ligjore për miratimin sa më parë të projektligjit “Regjistri Kombëtar i të dënuarve për krime seksuale” po ju bëj me dije se i jam drejtuar me një letër kryetares së Kuvendit, me anë të së cilës i kërkoj përshpejtimin e proçedurave për përfshirjen e të dy drafteve të paraqitura, njërin nga unë dhe tjetrin nga zonja Iris Luarasi në kalendarin e punimeve të Kuvendit brenda ketij muaji që është edhe muaji Fiongos Blu që simbolizon ditët ndërkombëtare kundër dhunës ndaj fëmijëve dhe të drejtat e tyre.”