Kriza energjitike në Kosovë! Paralajmërohet protestë përballë kryeministrisë

0

Qytetarët në Kosovë do të protestojnë të hënën për shkak të reduktimeve që po ndodhin në Kosovë të energjisë elektrike. Në rrjetet sociale është paralajmëruar se protesta do të nisë në orën 13:00, nga KEDS-t për të vazhduar përballë kryeministrisë.

Qytetarëve do të mbeten pa energji elektrike për 24 orë, në errësirë për shkak të krizës energjitike.

“Ftojmë të gjithë qytetarët/et e Kosovës të na bashkohen në protesta mbarëkombëtare kundër manipulimeve dhe papërgjegjësisë të vazhdueshme të KEDS ndaj qytetarëve të Kosovës. KEDS bashkë me Qeverinë na e kanë kthyer terrin në Kosovë. Gjatë kësaj jave, Qeveria dhe KEDS-i na informuan se do të rikthehen reduktimet e energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike. Sipas njoftimit zyrtar të tyre, reduktimet do të ishin nga 2 orë në orare të caktuara. Përkundër këtyre njoftimeve, reduktimet e rrymës po zgjasin deri në 24 orë. E kjo gjendje, sipas njoftimit të Qeverisë pritet të zgjasë edhe dy muajt tjerë. KEDS-i, distributor kryesor i energjisë elektrike në Kosovë, është duke dështuar që t’i përmbushë obligimet e saj për furnizim 24/7 të të gjithë/a qytetarëve/eve duke na lënë në errësirë. Në anën tjetër, këtë dështim Qeveria është duke na e faturuar neve, duke e subvencionuar KEDS-in me 20 milionë euro nga paraja publike. Kjo krizë përveç që është duke e paralizuar çdo aspekt të funksionimit shoqëror dhe ekonomik, është duke treguar që shërbimet esenciale nuk duhet të lihen në duar të sektorit privat. Andaj, të hënën, duke filluar nga ora 13:00, mblidhemi pranë KEDS-it në protestë ndaj kësaj gjendjeje alarmante dhe kërkojmë: 1. Rrymë 24/7; shkarkim të ministres Rizvanolli dhe nacionalizimi i KEDS-it”, thuhet në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale.

Kosova aktualisht është duke u përballur me një krizë energjetike, e paprovuar në dhjetë vitet e fundit. Qeveria e Kosovës ka bërë me dije se reduktimet janë planifikuar të zgjasin për 60 ditë, e sot është dita e tretë ku vendi përballet me reduktime. Lidhur me këtë krizë, kryeministri AlbinKurti ka thënë se s’ka pasur mundësi të blihet rrymë më herët për t’u evituar kriza energjetike pasi rrymën s’mund ta konzervosh në frigorifer.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu