“Kryeministrin e ha të gjallë”/ Rama i përgjigjet Alizotit nga Librazhdi: Kam ardhur me frikë sot, por s’po e shoh

0

Në takimin përmbyllës elektoral të mbajtur në Librazhd, kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e hapi fjalimin me një koment ironik në drejtim të Tomor Alizotit, i cili kohët e fundit ishte shprehur me tone të forta ndaj tij, duke deklaruar se “kam qejf ta ha të gjallë”.

“Kam ardh me shumë frikë. Gati desh u ktheva mbrapsht se ka dal njëri këtej që do të na hajë gjallë. Nuk po e shoh gjëkundi atë,” – tha Rama me dozë humori, duke iu drejtuar të pranishmëve në sallë.

Kreu i qeverisë shtoi më tej: “Sot kemi dhe takim të madh përmbyllës në Elbasan dhe ju falënderoj shumë që jeni kaq shumë këtu. Duke ju pa kaq shumë, edhe mua më del pak frika se ai kur thotë do hamë, ai ha me gjithë mend.”

Duke iu rikthyer qëllimit të takimit, Rama theksoi rëndësinë e këtij momenti për të ardhmen politike të vendit, duke i ftuar qytetarët të marrin pjesë në votime:

“Sot dua t’ju marr pak kohë për t’ju bërë një pasqyrë të çfarë duhet mbajtur parasysh për Shqipërinë sot dhe çfarë do të bëjmë në vijim. Shpresoj dhe uroj durimin tuaj. Po hy në temë duke ju thënë që ky është një moment i rëndësishëm dhe duhet të përpiqemi që çdokush ka të drejtën e votës, edhe pse mund të jetë krejt në anën tjetër, të bindet se në 11 maj duhet të na bashkohet.”